Edhe 3 vetura me tabela RKS digjen në Veri të vendit, Policia jep detaje

1 minute, 33 seconds Read

Mbrëmë pas mesnate edhe tri vetura të tjera të qytetarëve serbë në veri të vendit kanë qenë cak i keqbërësve. Persona ende të paidentifikuar, dyshohet se u kanë vënë flakën automjeteve të cilat ishin të parkuara në rrugën “Kral Milutin”- Zveçan, në rrugën “Ivo Lola Ribar”- Mitrovicë Veri, si dhe në rrugën “Vlade Çetkoviq”- Mitrovicë Veri.

Rastin e ka konfirmuar Policia e Kosovës përmes një komunikate për media, ku bëhet e ditur se veturat të cilat iu përkasin qytetarëve të nacionalitetit serb, ishin regjistruar me targa të Republikës së Kosovës (RKS).

“Sikurse edhe në rastin e parë, edhe në rastin e dytë, pas pranimit të informacioneve, njësitet policore menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes duke angazhuar njësitë kompetente policore, përfshirë forenzikën, të cilat kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore”, thuhet në komunikatë.

Me urdhër te prokurorit, rasti është cilësuar ‘Zjarrvënie’, ndërsa veprimet tjera ligjore varësisht nga zhvillimi i hetimeve.

Kujtojmë që mëngjesin e djeshëm dy qytetarë kanë kërkuar nidhmën e Policisë në Zubin Potok, pasi të njëjtit kanë deklaruar se gjatë natës, persona të panjohur u kanë djegur veturat e tyre private të cilat ishin të parkuara para shtëpive të tyre.

Sipas ankuesve, veturat ishin me targa RKS dhe ishin regjistuar rreth një javë më përpara.

Për këtë ka pasur reagime edhe nga zyra e Presidencës së Kosovës, ku shefi i kabinetit të presidentes Vjosa Osmani, Blerim Vela, ka thënë se strukturat ilegale të Serbisë po vazhdojnë frikësimin e serbëve lokal dhe ka theksuar se sipas marrëveshjes së Brukselit targat RKS janë të vetme targa legale në të gjithë Kosovën.

Publikime te ngjashme