Faton Hajrizi padyshim që sot është një nga shqiptarët e Kosovës më të famshëm. Arratisja për herë të nëntë nga burgu dhe paraqitjet direkte nga rrjetet sociale, kanë bërë që të komentohet jashtëzakonisht shumë ditëve të fundit.
Rrëfime të dikurshme nga burgu, e në të cilat ai flet vetëm për një krim të tij, kanë shtyrë që në rrjetet sociale të merr mbështetje nga një pjesë e njerëzve. Kjo për shkak që është krijuar përshtypja që Faton Hajrizi është dënuar me 27 vite për vrasjen e policit rus menjëherë pas luftës në Skenderaj.
Mirëpo, për vrasjen e ushtarit rus, Hajrizi u dënua me 5 vite burg. Rikthimi i tij prapa grilave ka ndodhur për shkak të disa krimeve të tjera që i ka bërë. Gjashtë muaj pas vrasjes së policit rus, Faton Hajrizi kishte plagosur dy persona të tjerë.
Pasi e kishte përfunduar burgun për vrasjen e rusit, ishte data 5 maj e vitit 2006 kur Faton Hajrizi kreu një grabitje të armatosur. I maskuar u paraqit si pjestar i AKSH-së, hyri në njërin nga bizneset e asaj kohe të Skenderajt dhe me kallashnikov në duar kreu grabitje, ku mori një shumë të parave dhe disa telefona të asaj kohe.
Sipas aktvendimit dënues ndaj tij të lëshuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë, vetëm një orë pasi e kreu grabitje tjetër në një internet kafe në Klinë të Epërme të Skenderajt. Ai grabiti të gjithë personat që gjendeshin në atë lokal. Madje, duke shtënë me kallashnikov me qëllim për t’i frikësuar.
Në qershor të vitit 2006 – një muaj pas dy grabitjeve, ai ia mësyu një bashkëfshatari të tij. Faton Hajrizi shkoi në shtëpinë e bashkëfshatarit në mes të natës, duke shtënë me kallashnikovë në drejtim të tij. Për këto dhe disa raste të tjera, Faton Hajrizi u dënua me burgim të përgjithshëm prej 27 viteve.
Për arratisjen e fundit të tij, ministri i Brendshëm, Xhelal Svecla u zotua se do ta arrestojë brenda orësh apo ditësh. Mirëpo, po hyjmë në ditën e 10 që kur Hajrizi është në arrati dhe ende nuk është arritur të kapet. Derisa, tentimin eventual për ta arrestuar, Faton Hajrizi, nuk e ka pritur mirë. Ai ka thënë se dikush do ta pësojë keq në rast se tentojnë ta arrestojnë.