Donald Trump pauzon ndihmën ushtarake amerikane për Ukrainën

1 minute, 36 seconds Read

Presidenti amerikan Donald Trump ka pauzuar ndihmën ushtarake amerikane për Ukrainën, vetëm disa ditë pas grindjes së tij me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.

Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë, duke folur në mënyrë anonime, tha: “Presidenti [Trump] ka qenë i qartë se ai është i fokusuar në paqe. Ne kemi nevojë që partnerët tanë të jenë të përkushtuar ndaj këtij qëllimi gjithashtu. Po pauzojmë dhe rishikojmë ndihmën tonë për të siguruar që ajo po kontribuon në një zgjidhje”.

Nuk kishte asnjë tregues për kohëzgjatjen e mundshme të pauzës, dhe nuk ka pasur asnjë koment deri më tani nga Ukraina.

E kjo vjen pas përplasjes befasuese mes dy liderëve – si dhe zëvendëspresidentit Vance – në Zyrën Ovale të premten, transmeton Telegrafi.

Qortimi i Zelensky nga Trump u dënua nga shumë njerëz dhe ka çuar në një shfaqje mbështetjeje nga liderët evropianë, teksa ata përpiqen të formulojnë rrugën e tyre përpara.

Presidenti i SHBA-së sulmoi sërish liderin ukrainas të hënën, duke u thënë gazetarëve se ai duhet të jetë “më shumë mirënjohës”.

Duke shkruar në Truth Social, Trump tha gjithashtu se Zelensky kishte bërë “deklaratën më të keqe që mund të ishte bërë”, pasi komentoi se paqja ishte ende “shumë, shumë larg”.

“Amerika nuk do ta durojë atë për shumë kohë”, postoi ai.

“Kjo është ajo që po thosha, ky djalë nuk do që të ketë paqe për sa kohë që ai ka mbështetjen e Amerikës”, shtoi presidenti.

Zelensky më pas postoi në X se Ukraina “po punon së bashku me Amerikën, dhe partnerët tanë evropianë dhe shpresonte shumë në mbështetjen e SHBA në rrugën drejt paqes”.

“Paqja është e nevojshme sa më shpejt të jetë e mundur”, tha ai. /Telegrafi

Publikime te ngjashme