Dodik informon Vuçiqin se Republika Serbe po e konsideron seriozisht mundësinë e pavarësimit të saj nga Bosnja dhe Hercegovina

1 minute, 8 seconds Read

Presidenti i entitetit të Bosnjës dhe Hercegovinës, Republika Serbe, Milorad Dodik iu është drejtuar mediave pas takimit të sotëm me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Ai tha se e informoi presidentin serb për qëndrimin e udhëheqjes politike të Republika Serbe se “angazhimi i një pjese të bashkësisë ndërkombëtare dhe Sarajevës zyrtare, po e degradojnë pozitën së RS-së”.

“Ne seriozisht po e konsiderojmë pavarësimin e RS, nëse ky degradim vazhdon”, shtoi ai, raporton klix.ba.

Ai iu referua edhe çështjes së marrëdhënieve me NATO-n, duke thënë se “bashkëpunimi aktualisht është i ngrirë”.

“Kështu është edhe kur bëhet fjalë për NATO-n, ne ndjekim qëndrimin e Serbisë për këtë çështje dhe është shumë e qartë – neutral. Bashkëpunimi me NATO-n është i mundur, por përjashtohet anëtarësimi”, përfundoi Dodik.

Ndërkohë, Vuçiq tha se Marrëveshja e Paqes e Dejtonit është thelbi i funksionimit të Bosnjë dhe Hercegovinës.

“Unë thashë se ne e konsiderojmë Marrëveshjen e Dejtonit si thelbin e funksionimit të Bosnjë-Hercegovinës. Republika Serbe dhe ne gjithmonë do ta mbështesim marrëveshjen e tri kombeve”, tha ai.

Ndryshe, presidenti serb paralajmëroi seancë të përbashkët të Qeverisë së Serbisë dhe Qeverisë së Republikës Serbe. /Telegrafi

Publikime te ngjashme