Përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, Hajdaraj ka thënë se babai i tij e dinte se do të vritej, dhe prandaj e ka shkruar këtë letër, ose testament, siç e ka quajtur ai.

“Këtë letër (dorëshkrim) e ka shkruar Smajl Hajdaraj (babai im). Para më shumë se 21 viteve. Rreth 1 muaj (dhjetor 2001) para vrasjes së tij.E kam parë me sytë e mi duke e shkruar. Ma vonë e kam kuptuar se ai e dinte se do të vritej , prandaj e ka shkruar këtë letër – testament. Nuk u dorëzua”, ka thënë ai.

Tutje, Shpëtim Hajdaraj ka shkruar: “E vranë , por s’mujten as me e frikësu e as me e shantazhu. As me i dalë përballë , e as me e mundë me argumente”, ka vazhduar ai sipër letrës së publikuar”.

Në fund, ai ka thënë se është tentuar të njolloset e kaluara e tij, e e paraardhësve, derisa ka cituar edhe një fjalë të Fan Nolit.

“As me të kaluarën e paraardhësve , e as të tij. Keni tentu me njollosë , propagandu e shpifë kundër tij , por kur të doni mblidhuni të gjithë ju vrasës e po i peshojmë kontributet-me argumente. Në këtë vend ka ndodhë saktë ashtu siç ka shkruar F.S.Noli para 100 viteve : “Këtu , si me magji , brenda natës tradhëtari bëhet patriot , e patrioti tradhëtar”. Sa herë vritej dikush nga kolegët e tij paraprakisht , thonte-citoj “a thu cili e kemi radhën tani”. Analizojeni se çka ka thënë para 21 viteve, dhe kuptojeni kontekstin e sotëm”, ka shkruar Hajdaraj.

Shkrimi i plotë:

Mendim

Edhe pse fillimi i luftës çlirimtare më gjeti udhëheqës partiak (Kryetar i LDK-së për Rugovë) nuk jam hamendur fare por me tërë potencialin tim politik dhe autoritativ i jam bashkangjitur luftës së shenjtë çlirimtare.Kështu ndodhi edhe me një pjesë të aktivistëve të LDK-së dhe me pjesën më të madhe të anëtarësisë.
Që nga fillimi i veprimit të Shtabit Rajonal të Rugovës (komandant i të cilit isha deri më 14 janar 1999) e deri me ranjën e Rugovës si teritor (me 21 prill 1999) Rugova dhe Rugovasit bënë një luftë karakteristike dhe shumë përmbajtësore:
a) Teritori i Rugovës u mbajt teritor i lirë (Rugova ra me 21 prill 1999)
b) Gjatë tërë kohës bëmë pranimin,strehimin dhe përcjelljen e dhjetëra mijëra të ikurve nga zona e Rrafshit të Dukagjinit.
c) Bëmë pranimin ,strehimin dhe sistemimin e ushtarëve të përzënë nga Rrafshi i Dukagjinit.Pjesa më e madhe e tyre kërkuan përcjelljen gjë të cilën ua kemi mundësuar.
d) Teritori i Rugovës dhe ushtria e saj u vunë në shërbim të përhershëm për kalimin dhe furnizimin e zonave të Kosovës me armatim dhe municion të domosdoshëm.

Mendoj se këto të vërteta dhe këto punë nuk duhet të harrohen nga askush , e aq më parë nga hierarkia ushtarake e UÇK-së.Vlenë te theksoj se organizimin ushtarak dhe luftën e mirëfilltë gjithnjë e ka penguar një grup që për koncept ushtarak e kishin konceptin jashtëinstitucional.Ushtrinë çlirimtare donin ta familjarizojnë,ta privatizojnë dhe shfrytëzojnë për interesa karieriste dhe thjeshtë personale.Këtë e ka dëshmuar edhe koha.Lufta e tyre më e madhe ishte kundër atyre pak institucioneve të krijuara dhe ndaj pjesëtarëve të LDK-së (lexo shumica rugovase). Më në fund .Jam tepër i emocionuar për lirinë e fituar dhe njëherit bëj apel që të angazhohemi të gjithë së bashku për ndërtimin e Pavarësisë së Kosovës-qëllim yni i tanishëm.

Ismail Hajdaraj

Ish Kom. i Shtabit Rajonal të UÇK-së për Rugovë