Diaspora përcaktuese? Analistët parashikojnë shumicë absolute për LVV

1 minute, 43 seconds Read

Analistët politikë vlerësojnë se Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka siguruar shumicën e votave të numëruara deri më tani, një faktor që mund të jetë vendimtar për krijimin e institucioneve të reja shtetërore.

Në një diskutim të mbajtur në RTK, profesorët universitarë Bujar Dugolli, Flamur Hyseni, politikologu Dorajet Imeri dhe profesoresha Besa Luzha, theksuan rolin e madh të votave të diasporës në këto zgjedhje.

Sipas Bujar Dugollit, diaspora gjithmonë ka pasur një peshë të rëndësishme në zgjedhjet në Kosovë dhe trendi aktual sugjeron një rritje të ndjeshme të numrit të deputetëve për LVV. Ai kritikoi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për ngadalësimin e procesit të numërimit.

Nga ana tjetër, Dorajet Imeri vlerësoi se përqindja e madhe e votave nga diaspora, që sipas tij arrin mbi 80%, po e favorizon LVV-në në mënyrë të jashtëzakonshme. Ai tha se, bazuar në këtë trend, LVV mund të sigurojë tre mandate shtesë, ndërsa partitë tjera nuk duket se kanë shanse për të përfituar deputetë nga votat e mërgatës.

Flamur Hyseni theksoi se LVV e ka ndërtuar fushatën me diasporën shumë më herët, sidomos në qytetet ku shqiptarët kanë një prani të madhe. Ai potencoi se, nëse ky trend vazhdon, votuesit e diasporës po konfirmojnë mbështetjen e dhënë katër vjet më parë.

“Nëse LVV i shton dy apo tre mandate, atëherë krijimi i një qeverie me minoritetet bëhet më i lehtë”, tha ai.

Ndërkohë, Besa Luzha deklaroi se nëse numërimi i përgjithshëm i votave nga diaspora arrin në 80%, LVV mund të sigurojë deri në pesë mandate, duke i dhënë kështu mundësinë të formojë qeverinë pa pasur nevojë për një koalicion të gjerë.

Ky trend i votave nga diaspora po forcon pozitat e LVV-së, ndërsa partitë e tjera pritet të mbeten me një ndikim të kufizuar nga ky segment i elektoratit.

Publikime te ngjashme