Deklarohet KFOR: Mbetet e paqartë se ku ndodheshin policët e Kosovës në momentin e arrestimit

1 minute, 31 seconds Read

KFOR thotë se bazuar në të dhënat e disponueshme mbetet e paqartë se ku ndodheshin tre zyrtarët policorë në momentin që janë kidnapuar nga Forcat Speciale serbe.

Kjo deklaratë, sipas tyre vjen pasi që kanë shqyrtuar vendndodhjen e ngjarjes, pasi që kanë biseduar me përfaqësuesit e institucioneve në Kosovë dhe atyre të autoriteteve serbe.

“Në këtë lokacion, afër Vijës Kufitare Administrative, si institucionet në Kosovë ashtu edhe autoritetet serbe kanë përgjegjësi të qarta për t’u koordinuar me KFOR-in. Ua rikujtojmë të dyja palëve për përgjegjësitë e tyre sipas Marrëveshjes Ushtarako-Teknike ndërmjet Serbisë dhe KFOR-it, si dhe procedurat për koordinim ndërmjet Policisë së Kosovës, përfshirë Policinë Kufitare dhe KFOR-it”, thuhet në komunikatën për media.

KFOR-i u bëri thirrje të dyja palëve që t’i respektojnë marrëveshjet dhe procedurat e bashkëpunimit me këtë mision, si dhe të përmbahen nga “retorika provokuese”.

“Ua rikujtojmë të dyja palëve përgjegjësitë sipas Marrëveshjes Ushtarako-Teknike ndërmjet Serbisë dhe KFOR-it, si dhe procedurat për koordinim ndërmjet Policisë së Kosovës – përfshirë policinë kufitare – dhe KFOR-it. Po ashtu, ua rikujtojmë të gjitha palëve se vendosja e Forcave të Sigurisë së Kosovës në veri të Kosovës kërkon pëlqimin paraprak të komandantit të KFOR-it”, thuhet në komunikatën e misionit paqeruajtës.

Tutje në komunikatë thuhet se në koordinim me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, KFOR-i vazhdon të kryejë mandatin e tij si reagues i tretë – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të siguruar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes, për të mirën e të gjitha komuniteteve në Kosovë.

Publikime te ngjashme