Prokuroria Themelore në Prizren ka ndërmarrë sot në orët e hershme të mëngjesit një operacion të gjerë bastisjesh në disa qytete, duke shënjestruar pronat e ish-zyrtarëve të lartë të Byrosë Kosovare të Sigurimeve (BKS).
Lidhur me këtë aksion që tronditi opinionin, ka reaguar menjëherë vetë Byroja Kosovare e Sigurimeve për të sqaruar rrethanat e hetimit.
BKS-ja ka bërë të ditur se ky proces është iniciuar pikërisht nga ky institucion në cilësinë e palës së dëmtuar, pasi raporti i Auditimit të Brendshëm kishte evidentuar shkelje të rënda.
Reagimi i plotë i BKS-së:
Byroja Kosovare e Sigurimeve (BKS) njofton opinionin publik se rasti që po trajtohet aktualisht nga Prokuroria Themelore në Prizren, i shoqëruar me bastisje dhe veprime hetimore, ka nisur me iniciativën tonë si palë e dëmtuar, bazuar në gjetjet e Auditimit të Brendshëm.
Në kuadër të përkushtimit tonë për transparencë dhe mbrojtje të integritetit institucional, pas zbulimit të dyshimeve për keqpërdorime serioze, kemi ndërmarrë veprime të menjëhershme ligjore duke i adresuar lëndët tek organet e rendit dhe drejtësisë.
BKS-ja ka ofruar dhe po vazhdon të ofrojë bashkëpunim të plotë me Prokurorinë dhe Policinë e Kosovës, duke vënë në dispozicion çdo dokumentacion të kërkuar që ndihmon në zbardhjen e hetimeve.
Konfirmojmë se mbetemi të përkushtuar në fuqizimin e kontrolleve të brendshme për të parandaluar çdo keqpërdorim të mundshëm dhe për të garantuar menaxhim të përgjegjshëm të fondeve konform ligjit.
Byroja rithekson respektimin e parimit të prezumimit të pafajësisë, duke besuar se organet e drejtësisë do ta zbardhin të vërtetën deri në fund përmes një procesi ligjor dhe korrekt.
Për çdo zhvillim të ri në këtë proces, qytetarët do të informohen në kohë reale përmes kanaleve tona zyrtare të komunikimit.
Në fund, BKS shpreh mirënjohje për profesionalizmin e Prokurorisë dhe Policisë së Kosovës në trajtimin e shpejtë të këtij rasti, veprime këto që dëshmojnë angazhimin e përbashkët për sundimin e ligjit dhe mbrojtjen e interesit publik./lajmishqip.net

