Beqiroviq reagon ashpër ndaj mediave serbe: Vuçiq po vazhdon rrugën e errët propagandistike të Millosheviqit

1 minute, 29 seconds Read

Anëtari i Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, Denis Beqiroviq, ka reaguar ashpër ndaj raportimit të mediave pro-regjimit në Serbi, pas fjalimit të tij të mbajtur në Potoçari më 11 korrik, në 30-vjetorin e gjenocidit në Srebrenicë.

Sipas Beqiroviqit, propaganda aktuale është një vazhdimësi e drejtpërdrejtë e politikave të vjetra. “Nuk ishte rastësi që fola në Potoçari për propagandën e errët të regjimit serb të Slobodan Millosheviqit… Ish-ministri i propagandës i Millosheviqit dhe presidenti aktual i Serbisë [Aleksandar Vuçiq] vazhdon të ecë në këtë rrugë të errët,” deklaroi Beqiroviq.

Për të ilustruar pretendimin e tij, ai publikoi kopertinën e tabloidit serb “Informer”, i cili titullonte “Mesazhe skandaloze nga Potoçari. Kërcënim ndaj Serbisë me luftë”, duke vendosur fotografitë e tij dhe të kryeministrit kroat, Andrej Plenkoviq.

Në reagimin e tij, Beqiroviq tërhoqi paralele mes propagandës së sotme dhe asaj që i parapriu gjenocidit, duke theksuar se fushata e egër mediatike ishte hyrja për krimin. Ai kujtoi se si regjimi i Millosheviqit i demonizoi boshnjakët për vite me radhë dhe se si një deputet serb kishte deklaruar publikisht se ‘për një serb, 100 myslimanë duhet të vriten’.

Beqiroviq theksoi se është detyrim i tij të flasë për rolin e drejtpërdrejtë të Serbisë në gjenocid. “Pa mbështetje ushtarake, logjistike, financiare dhe të tjera nga Beogradi, gjenocidi në dhe përreth Srebrenicës nuk do të kishte qenë i mundur,” tha ai. Beqiroviq shtoi se aktivitetet e ushtrisë së serbëve të Bosnjës menaxhoheshin nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Jugosllave dhe se procesverbalet origjinale dëshmojnë se Millosheviqi ishte në dijeni të plotë për kryerjen e gjenocidit, raporton lajmishqip.

Publikime te ngjashme