BBC: Sulmi i Hamasit, dështim kolosal i inteligjencës izraelite

1 minute, 11 seconds Read

Sulmi i befasishëm i Hamasit ndaj Izraelit ishte dështim kolosal i inteligjencës izraelite, ka thënë të shtunën eksperti i sigurisë i BBC-së, Frank Gardner.

Izraeli ka një nga rrjetet më të përhapura dhe më të sofistikuara të inteligjencës në Lindjen e Mesme, vendas dhe të huaj.

Inteligjenca izraelite ka informatorë të infiltruar në grupe militante jo vetëm në territoret palestineze, por edhe në Liban, Siri dhe vende të tjera.

Në të kaluarën, ata kanë qenë në gjendje të vrasin liderët militantë me goditje precize duke përdorur drone apo edhe telefona celularë me eksploziv.

Mirëpo, me këtë sulm të Hamasit në fund të festës hebraike, Izraeli duket se është kapur në gjumë, shkruan BBC.

Hamasi arriti të planifikojë dhe të nisë një sulm të koordinuar me kujdes ndaj Izraelit në fshehtësi të plotë.

Nuk ka dyshim se Izraeli do të hakmerret me forcë të madhe. Por izraelitët tani do të pyesin veten pse agjentët e tyre nuk e dinin për këtë, shkruan BBC.

Hamasi sulmoi Izraelin të shtunën në mëngjes nga ajri dhe një numër i caktuar militantësh hynë nga toka në territorin e Izraelit nga Rripi i Gazës. Mijëra raketa u lëshuan nga Rripi i Gazës në jug të Izraelit. 22 izraelitë kanë mbetur të vdekur, ndërsa mbi 500 janë lënduar./GazetaSinjali

Publikime te ngjashme