Baton Haxhiu, gazetar, ka folur për takimet që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte në Bruksel të enjten me presidentin francez, Emmanuel Macron, kancelarin gjerman, Olaf Scholz dhe kryeministren italiane, Giorgia Meloni.
Haxhiu tha se shtetet që udhëheqësin Macron, Scholz dhe Meloni janë fuqitë kryesore të Bashkimit Evropian, por shton se arsyeja pse kanë qenë aty për takim me Kurtin është se përfaqësojnë tri ideologjitë kryesore në BE.
Meloni si e djathtë ekstreme, Macroni si i djathtë e moderuar dhe Scholz si socialdemokrat.
”Pse janë zgjedh Melon, Scholz dhe Macron, janë zgjedhur për një arsyeje të vetme përveç asaj që janë tri fuqitë kryesore të Bashkimit Evropian, përfaqësojnë tri ideologjitë kryesore të Bashkimit Evropian. Meloni është e djathtë esktreme, Scholz është socialdemokrat dhe Macroni e djathtë e moderuar. Këto janë arsyejet pse janë ata tre”, ka thënë Haxhiu.
Më tutje, gazetari Haxhiu ka folur edhe për draftin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe qasjen e kryeministrit Albin Kurti ndaj këtij drafti.
”Drafti nuk ka ndryshuar asgjë, sepse drafti është hartuar në dhjetor, dy muaj para konferencës së Ohrit, është përfunduar si draft, dhjetor-janar. Në fillim të qershorit, Kurti është dashur ta dorëzojë këtë draft dhe politikisht mendoj që e ka pasur një qasje interesante që nuk ka dashur të marrë përgjegjësinë për pasojat”, ka thënë ndër tjerash Haxhiu.