Basha: Kurti po rregullon dëmet e shkaktuara nga marrëveshjet e PDK-së dhe LDK-së

3 minutes, 2 seconds Read

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha në një intervistë, ka folur rreth zhvillimeve të fundit në dialogun Kosovë-Serbi.

Basha  ka folur edhe për planin franko-gjerman, duke thënë se është plani më i mirë i mundshëm në rrethanat që gjendet Kosova dhe një parakusht para se të shkohet tek njohja reciproke me Serbinë.

“Vitet 2013-2015 kanë qenë favore ndaj Serbisë, për shkak se është fol si më ja themeluar “Zejadnicën” Vuçiçit e që ka qenë gabim, sepse edhe plani Ahtisarit nuk ka paraparë që Kosova të shkojë me diskutu me Vuçiçin për me themelu ”Zajednicën”.  Është plan i mirë për rrethanat që jemi, është plani më i mirë që ka mund me u bo dhe këtu po besoj që plani e ka mbështetjen e BE-së dhe ShBA-së dhe për momentin që jemi, është plani më i mirë i mundshëm, marr parasysh që edhe SHBA-të po thonë është një parakusht para se të shkojmë tek njohja reciproke tek marrëveshja gjithëpërfshirëse”, thotë Basha.

Ai, ka folur edhe për kritikat që janë bërë nga opozita për këtë marrëveshje.

Tutje, Basha thotë se të gjitha marrëveshjet e këqija dhe dëmet që Kurti po synon ti rregullojë, janë si pasojë e opozitës PDK-LDK.

“Na opozitë e kemi Serbinë e Vuçiçin për shkak se jemi në dialog me Serbinë, për hir te korrektësisë AAK-ja ka dal pro kësaj marrëveshje, dhe LDK e PDK kanë disa vërejtje të tyre dhe ne patjetër i marrim parasysh, por të gjithë qytetarë e dinë që në rrethanat që ndodhemi dhe të gjitha marrëveshjet e këqija apo dëmet që i kanë shkaktuar që po synon me i sanu kryeministri Kurti janë si pasojë e marrëveshjeve të këqija që i kanë bo këta”, thotë ai.

Megjithatë, Basha shpreson se BE dhe SHBA-të do ta shtyjnë Vuçiçin ta nënshkruaj marrëveshjen, të cilën nuk e bëri me 27 shkurt në Bruksel.

“Nuk e dimë se çfarë do të ndodh më 18 mars, është gabim se BE dhe Borell nuk e ka shty Vuçiçin për me nënshkruar marrëveshjen, e nëse ka pas dakordancë pas dakordancës kërkohet nënshkrimi, nuk e kuptoj ende pse nuk e ka nënshkruar Vuçiç këtë marrëveshje, apo pse nuk e kanë shty me nënshkru. Dhe nuk mund të fillojmë me planë zbatimin pa e nënshkrua këtë marrëveshje. Besojë se më insistimin  e BE-së dhe SHBA-së e bëjnë  një shtytje më të madhe më shty Vuçiçin për nënshkrimin  e kësaj marrëveshje”, përfundon ai.

Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç në Bruksel më 27 shkurt të këtij viti me ndërmjetësimin e përfaqësuesit të lartë të BE-së për Politikë të Jashtme, Joseph Borrell.

Pas këtij takimi, Kurti ka konfirmuar se bashkë me presidentin serb Aleksandar Vuçiç, janë pajtuar për propozimin evropian.

Ai tutje ka paralajmëruar se së shpejti do vijojnë negociatat për zbatimin e saj.

“Sot në Bruksel ramë dakord të dy për Propozimin e BE-së të mbështetur nga Gjermania, Franca, Italia dhe SHBA, pa ndryshime. Unë ofrova të nënshkruaja zyrtarisht, por Serbia nuk ishte gati. Së shpejti do të vijojnë negociatat për zbatimin”, ishte shprehur Kurti pas përfundimit të takimit trepalësh në Bruksel.

Publikime te ngjashme