Mediat serbe raportojnë se personi i cili po kërkohet për vrasjen e policit serb në Loznicë, është i arratisuri nga burgu i Kosovës A.H.
Në orët e para të mëngjesit të sotën në pikëkalimin kufitar në Loznicë të Serbisë pranë kufirit me Bosnje e Hercegovinën, policia ndaloi për kontroll një veturë të markës Mercedes, brenda të cilës gjendeshin dy persona.
Në një moment një person doli nga vetura dhe shtiu mbi një polic serb, që e qëlloi në gjoks dhe nuk i mbijetoi plagëve.
Ai gjithashtu shtiu edhe mbi një zyrtar tjetër policor, i cili mbeti i plagosur, kurse i dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes.
Nga ministria e Brendshme e Serbisë thonë se në veturën e të dyshuarit është gjetur një pasaportë e Kosovës si dhe një letërnjoftim i Gjermanisë.
Për kërkimin e të dyshuarit për sulm, autoritetet serbe kanë ngritur në ajër dronë e helikopterë si dhe kanë kërkuar ndihmë e shumë njësive të policisë kufitare në Serbi.
Ndryshe Telegrafi ka kontaktuar edhe me MPJD-në e Kosovës, por deri në publikimin e këtij shkrimi nuk ka ndonjë përgjigje./Telegrafi