Autori francez tregon detaje nga takimi mes CIA-s dhe UÇK-së: “Thaçi e Veseli më mendjekthjelltët”

1 minute, 51 seconds Read

Në librin “Lindja e një demokracie”, me autor shkrimtarin francez Jacques Baudouin, i cili kishte mbajtur edhe pozitën e këshilltarit të Bernard Kushner, janë publikuar detaje interesante për kontaktet e UÇK-së me Agjencinë Qendrore të Inteligjencës së SHBA-së, e cila njihet ndryshe si CIA, transmeton Demokracia.com.

Autori francez e ka vlerësuar lart vizionin e Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit dhe ka dhënë detaje interesante për takimet dhe bisedën mes CIA-s amerikane dhe përfaqësuesve të UÇK-së.

Jacques Baudouin ka folur për zhvillimet e hershme në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

“Shumë shpejt UÇK-ja numëroi në radhët e veta rreth dyzet anëtarë. Disa prej tyre kishin një vizion të zgjeruar të qëndresës: ata nuk e donin këtë qëndresë vetëm në Kosovë, por edhe në Mal të Zi, në Maqedoni dhe në Preshevë, ngado ku shqiptarët ndiheshin të poshtëruar. Ata ëndërronin për një <Kosovë të Madhe> e cila do të shtrihej në kufijtë e vilajetit të dikurshëm të Kosovës. Ata më mendjekthjelltët, në veçanti Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, e kundërshtuan këtë me forcë. Jo vetëm që zgjerimi i luftës në territoret fqinje të Kosovës shkonte përkundër logjikës, por që në kontaktin e tyre të parë me CIA-n, amerikanët iu kishin kërkuar që operacionet e UÇK-së të kufizoheshin në Kosovë dhe të mos preknin Maqedoninë, ku vendet fqinje, Greqia dhe Bullgaria, ishin anëtare të NATO-s“, ka treguar autori francez.

Më tutje shkrimtari francez ka treguar se “sipas disa burimeve, Kadri Veseli kishte takuar disa agjentë të CIA-s që në vjeshtë 1996, në Zvicër. Amerikanët kishin shtuar se ishin kundër çdo ndryshimi të kufijve. Thaçi dhe shokët e tij ishin plotësisht dakord me këtë, aq më tepër që për ta UÇK-ja ishte një lëvizje për çlirim kombëtar dhe jo një platformë politike, ideologjia e së cilës mund të shpinte në aventuara të rrezikshme: çimentimi i saj ishte qëndresa kundër Serbisë dhe çlirimi i vendit“.

Publikime te ngjashme