Asnjë rezultat në dialog, Borrelli fajëson Kurtin për refuzim të propozimit

3 minutes, 39 seconds Read

Dallime të mëdha për rrugën drejt zbatimit të Marrëveshjes Bazë dhe normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve kanë shfaqur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq. E ndërmjetësi i takimit, shefi i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Joseph Borrell, e ka fajësuar Kurtin se insistoi në njohje reciproke duke mos e pranuar propozimin e tij që palët të nisin paralelisht zbatimin e kërkesave. Ndërkaq Kurti ka deklaruar se kushtëzimi i Serbisë me Asociacion tashmë është shndërruar në qëndrime të emisarëve, Borrell-Lajçak

Asnjë rezultat në funksion të zbatimit të Marrëveshjes Bazë nuk ka prodhuar takimi i së enjtes mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Derisa Kurti ka thënë se s’mund të pranojë kompromis mes propozimit të tij me sekuencë dhe kushtëzimit të Serbisë për formimin e Asociacionit, Vuçiqi ka insistuar në këtë të fundit.

E përfaqësuesi i lartë, Joseph Borrell, fajësoi Kurtin për mungesën e kompromisit, pasi, sipas tij, u refuzua propozimi që palët të nisin paralelisht zbatimin e kërkesave.

Sipas ndërmjetësit të BE-së, Kurti ka kërkuar së pari njohje de facto nga Serbia, ndërsa Vuçiqi themelimin e Asociacionit.

“Ne kemi propozuar të zbatohen këto paralelisht, të sigurohet që të marrë diçka e të japë diçka. BE-ja dhe komuniteti i gjerë ndërkombëtar, përfshirë partnerët amerikanë, e shohin këtë si rrugë të vetme për të funksionuar zbatimi. Të dyja duhet të kenë garanci se veprimet shpërblehen, me masa nga pala tjetër. Sot, jam munduar me Kurtin e Vuçiqin të gjej rrugën para, duke u bazuar në propozimin tonë. Për fat të keq, pas takimit të gjatë, Kurti nuk ishte i gatshëm që të ecet para, të fillojë një proces kredibil për themelimin e Asociacionit. Ai insistoi të formalizohet njohja de facto si hap i parë”, ka thënë Borrell.

Kryeministri Kurti ka deklaruar se nuk mundet pika që i referohet themelimit të Asociacionit të vendoset si qerrja para kuajve.

Ai ka shtuar se në kushtëzimet e Vuçiqit ka rënë edhe emisari i BE-së për dialogun Kosovën-Serbi, Miroslav Lajçak.

“E unë s’mund ta pranoja një të tillë duke cenuar Kosovën, kryeministër i së cilës jam. Edhe ky dokumenti i vjetër që paraqet dokumentin e kushtëzimit që një herë Asociacioni e pastaj shohim, e kemi në dorë e s’kemi qenë në dijeni që ka pasur një të tillë. Ne kemi bërë një propozim…Secilin nen nga 11 sosh të Marrëveshjes, secilën fjali dhe pikë jam i gatshëm e i interesuar që të zbatojmë një orë e më parë në plotni. Ta vendosësh Asociacionin në qendër është në kundërshtim me Marrëveshjen Bazike që e kemi pranuar e lansuar më 27 shkurt dhe që është bërë pjesë e konkluzioneve”, ka thënë Kurti.

Presidenti serb Vuçiq e ka përsëritur se Kurti po refuzon ta zbatojë marrëveshjen për të cilën ka dakordim prej 19 prillit të vitit 2013.

“Sa i përket rrjedhës, nuk ka pasur shumë gjëra të këndshme, por shumë gjëra të pakëndshme. Logjikisht, të gjithë po luftojmë për të veten. Është e qartë se Kurti po i shmanget formimit të AKS-së. Serbia nuk po u ikën detyrimeve të saja, por ne i folëm si është dhe BE-ja se si duhet ecur gjërat. Dhe ne e pranuam një propozim të tillë, pavarësisht se nuk ishte i lehtë, por Kurti e refuzoi dhe kështu përfundoi çdo gjë”, është shprehur Vuçiqi.

Temë diskutimi në takimin trepalësh ka qenë edhe situatë në veri të vendit.

Shefi i BE-së, Joseph Borrell, tha se ndonëse Kosova ka bërë hapa para drejt shtensionimit, megjithatë nuk i ka plotësuar të gjitha kushtet”.

Ndryshe nga siç është përcaktuar Qeveria e Kosovës, Borrell ka vlerësuar se dorëheqjet e kryetarëve të katër komunave është rruga më e mirë dhe më e shpejta për zgjedhjet e reja në veri.

Publikime te ngjashme