As Tirana e as Prishtina nuk i bëri bashkë: ‘Përpjekjet e dështuara të Ramës për takim me Kurtin’

2 minutes, 15 seconds Read

“A ju vjen keq që në këtë takim nuk ishte vëllai juaj i vogël, Albin Kurti?” – ishte pyetja që iu bë kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, pas takimit joformal që pati me udhëheqësit e vendeve të Ballkanin Perëndimor, ku nuk mori pjesë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Rama në konferencë për media pas përfundimit të takimit ka shpalosur detaje se çka është biseduar në këtë takim në të cilën Kosova nuk u përfaqësua.

Ai u përgjigj edhe për mungesën e kryeministrit, Albin Kurti, duke mos shprehur interes që shpjegohet më shumë për mungesën e tij.

Rama tha se “kush deshi erdhi, kush s’mundi s’erdhi”

“Për sa i përket pyetjes së dytë, nuk shoh asnjë interes, sepse ishin të gjithë të ftuar dhe kush deshi erdhi, kush s’mundi s’erdhi.” – ka thënë Rama para gazetarëve.

Më tej, Rama ka dhënë edhe detaje për takimin që pati e në të cilën u diskutua për Samitin e Procesit e Berlinit.

Tutje, ai ka thënë se Bashkimi Evropian po përgatit një plan për të mbeshtetur financiarisht vendet e Ballkanit Perëndimor.

Mungesa e Kurtit në këtë takim ka nxitur reagime të shumta. Ai nuk shkoi në Tiranë pasi udhëtoi drejt Greqisë për të marrë pjesë në një simpozium.

Sipas Qeverisë së Kosovës, Kurti e ka njoftuar Ramën se “nuk do të mund të shkojë kësaj radhe, meqë muaj më parë e ka konfirmuar pjesëmarrjen në një konferencë në Kretë të Greqisë”.

Më tej, Kurti në Greqi u takua me emisarin special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Kurti ka shkruar se “moti ishte më i nxehtë se diskutimi ynë”.

“Pati një bisedë të gjatë me Miroslav Lajcakun në margjinat e Simpoziumit të 25-të të SYMI në Kretë për uljen e tensioneve dhe normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Ne mbetemi të përkushtuar. Moti ishte shumë më i nxehtë se diskutimi ynë.” – shkroi Kurti.

Një draft-statut për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, i propozuar nga kryeministri i Shqipërisë, si dhe anulimi i mbledhjes së përbashkët mes qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës, që ishte parashikuar të mbahej më 14 qershor, i ka përçarë raportet mes Ramës dhe Kurtit, të cilët kanë preferuar të argumentojnë me njëri-tjetrin nga distanca, përmes deklaratave.

Mospajtimet mes dy udhëheqësve kulmuan më 6 korrik, kur Kurti refuzoi të takonte Ramën, i cili qëndroi për vizitë zyrtare në Prishtinë.

Publikime te ngjashme