Ambasadori britanik në Beograd, ndryshe nga Hill, kërkon sçarim nga Vuçiq: “Kush ishin njerëzit në Banjskë dhe si arritën të kenë qasje në arsenalin e armëve..”

1 minute, 36 seconds Read

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Serbi, Edward Ferguson, tha se shumë pyetje kanë mbetur pa përgjigje pas ngjarjeve në Banjskë të Kosovës.

Ai tha se Serbia duhet të kontribuojë në hetim dhe shtoi se nuk ka asnjë arsyetim për sulmin ndaj policisë.

Gjithashtu, ai tha se i mirëpret hapat që Serbia po ndërmerr për të mbështetur Ukrainën dhe theksoi se beson se sanksionet ndaj Rusisë janë jashtëzakonisht të rëndësishme, transmeton Ballkani.info.

“Ky ishte një incident shumë i rëndë dhe shumë pyetje janë ende pa përgjigje, për shembull – kush ishin këta njerëz, si patën qasje në një arsenal të tillë armësh dhe çfarë planifikonin të bënin me të. Siç theksoi ministri ynë për çështje evropiane gjatë vizitës së tij në Beograd në fillim të kësaj jave, është jashtëzakonisht e rëndësishme që Serbia tani të kontribuojë në një hetim të plotë dhe sjelljen e përgjegjësve para drejtësisë. E kuptoj që emocionet janë të larta nga të gjitha anët, por ajo që na duhet dëshpërimisht tani është përgjegjësia dhe vetëpërmbajtja. Që nga kjo ngjarje që ndodhi të dielën, në media kemi parë një sërë titujsh që vetëm i kanë hedhur benzinë ​​zjarrit, në vend që të ndihmojnë në qetësimin e situatës”, tha ai për Nova.

Tutje Ferguson tha se nuk ka asnjë justifikim për sulmet ndaj policisë që ndodhën të dielën.

“Në të njëjtën kohë, ne duhet të pranojmë se kjo nuk ndodhi në vakum, por në kontekstin e tensioneve të shtuara në terren, e gjitha për shkak të dështimeve serike për të arritur përparim në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, tha ai. /Ballkani.info

Publikime te ngjashme