Kryeministri Edi Rama, në një takim të hënën, ka komentuar gjerësisht aksionin e IKMT-së në Theth. Ai deklaroi se pret që Këshilli i Lartë i Prokurorisë të nisë një hetim disiplinor ndaj prokurores Elsa Gjeli. Kreu i qeverisë i cilësoi ndërtimet në zonën e mbrojtur si një “pushtim kriminal”.
“Po flas për Thethin që të jetë një adresim i qartë për të gjithë,” nisi fjalën e tij Rama. Ai vuri në dukje se ekziston një teori e gabuar publike për përgjegjësinë. “Duket sikur fajin e kanë vetëm strukturat e shtetit, e nga ana tjetër kemi ca njerëz të shkretë,” shtoi ai.
“Duhet të sqarojmë se këtu nuk bëhet fjalë për disa të shkretë,” theksoi Kryeministri. “Në pjesën më të konsiderueshme, ndërtuesit nuk janë banorë të atij vendi.” Ai pohoi se bëhet fjalë për njerëz që nuk janë shfaqur publikisht. “Policia po merret me hetimin se kush është pas pushtimit kriminal të zemrës së Thethit”, tha Rama.
Ai pohoi se qëllimi i ndërtimeve ka qenë vetëm përfitimi financiar. “Bëhet fjalë për ndërtime që nuk janë për të futur kokën, por për qëllim fitimi,” tha ai. “Nuk di të ketë një teori që të amnistojë shkelësin e ligjit.” Sigurisht, ai pranoi se strukturat shtetërore kanë përgjegjësinë e tyre. “Presim çfarë do të bëjë KLP me zonjën Gjeli,” përfundoi ai për këtë pikë.
Sipas burimeve mediatike, Rama konfirmoi se në zonë janë shembur mbi 40 ndërtime pa leje. Ai kërkoi hetim të plotë për mosveprimin e Prokurorisë ndaj kallëzimeve. “Në Theth janë prishur 40 subjekte,” tha ai.
Kryeministri iu përgjigj edhe akuzave se qeveria ka “prerë në besë” banorët. Ai iu referua një komenti të bërë nga një përfaqësues i kishës. “U habita sesi një njeri i Zotit kishte hyrë në këtë histori,” tha ai. “Ne nuk kemi prerë në besë askënd.” “Me Kadastrën, premtimi ynë ka qenë të legalizojmë pronën e gjyshërve,” vijoi Rama.
Ai nënvizoi se ndërtimet ilegale ishin të një kohe të afërt. “Të gjitha këto ndërtime që janë prishur… janë të bëra deri në muajin e fundit,” deklaroi ai. “Ka pasur një turravrap të madh në Theth.” “Mos harroni se ajo është një zonë e mbrojtur.” “Aty nuk bëhet fjalë për të lejuar ndërtime”, tha Rama, raporton lajmishqip.