A do të jetë 9 qershori dita e zgjedhjeve! Partitë politike me qëndrime të kundërta, PDK e AAK të gatshëm t’i japin nënshkrimet për rrëzimin e Kurtit

4 minutes, 55 seconds Read

Partitë politike tash e një kohë Kanë shprehur gatishmëri për zgjedhje të reja.

Ka propozime për datë të zgjedhjeve, por asnjëra nga to nuk po bën asnjë hap konkret sa i përket përshpejtimit për t’i hapur rrugë zgjedhjeve të parakohshme.

Anipse secila po shprehet e gatshmë për zgjedhje, asnjëra nuk ka marrë ndonjë iniciativë për të pasur një takim ndërpartiak ose marrëveshje ndërpolitike për t’u marrë veshë për datën e zgjedhjeve.

Partia Demokratike e Kosovës, është subjekti politik që ka caktuar një datë të zgjedhjeve e që është 9 qershori 2024. Partitë politike tjera nuk është se po pajtohen shumë për këtë datë ani pse janë të gatshëm për zgjedhje çdo ditë.

Thaçi i VV-së: 14 shkurti 2025 është datë e zgjedhjeve, opozita s’kanë guxim të sjellin mocionin në Kuvend

Lëvizja Vetëvendosje shprehet e gatshme për të shkuar në zgjedhje.

Prej këtij subjekti politik kanë një datë për zgjedhje, por ndryshe nga PDK-ja, për Vetëvendosjen, datë optimale e zgjedhjeve është 14 shkurti i vitit 2025, në ditën kur edhe bëhen katër vite nga mbajtja e zgjedhjeve nacionale e ku Vetëvendosje kishte fituar 50.02% të votave.

‘’Unë nuk mendoj se duhet të shkojmë në zgjedhje me 9 qershor, për arsye sepse çdo gjë është normale edhe në Qeveri edhe në Kuvend. 14 shkurti i vitit 2025 është data kur duhet të shkohet në zgjedhje. Kjo është data kur bëhen katër vite nga zgjedhjet nacionale. Ne do të punojmë normalisht edhe Kuvendi edhe Qeveria dhe ne nuk kemi nevojë për ndonjë datë eventuale’’ shprehet deputeti Thaçi për FrontOnline.

Deputeti i VV-së, Halil Thaçi thotë për FrontOnline se Vetëvendosje është gati për zgjedhje dhe se nuk po sheh nisma serioze nga opozita dhe se partitë opozitare dhe se nuk po sheh guxim që ta sjellin as mocionin e mosbesimit në Kuvend.

‘’Momentalisht unë mendoj se nuk do të ketë zgjedhje, dhe nuk pres se do të ketë zgjedhje. Ju e patë që edhe PDK, LDK dhe AAK nuk janë të gatshëm të shkojnë në zgjedhje, ata nuk kanë guxim as ta sjellin në Kuvend mocionin e mosbesimit. Unë i besojë Qeverisë dhe Kuvendit dhe nuk e mbështes mocionin, por kjo varet nga marrëveshjet politike, por këto marrëveshje nuk e di si bëhen. Tani për tani nuk e mbështes asnjë mocion’’, thotë ai për Front Online.

Shala i LDK-së: Së pari Kurti të jep dorëheqje, pastaj flasim për datën e zgjedhjeve

Deputeti i LDK-së, Kujtim Shala për FrontOnline, thotë se për t’u caktuar data e zgjedhjeve, fillimisht duhet që kryeministri Albin Kurti të jap dorëheqje.

Sipas Shalës, për të ndodhur kjo, ekziston mundësia që rënia e Qeverisë të ndodhë qoftë përmes mocionit të mosbesimit me votat e shumicës ose përmes dorëheqjes.

‘’Që të flasim për datën e zgjedhjeve, duhet të japë dorëheqje Kurti ose ta rrëzojë qeverinë e tij me anën e mocionit, me votat e shumicës’’, tha Shala për FrontOnline.

PDK: Jemi gati t’i ofrojmë nënshkrimet për rrëzimin e Qeverisë “Kurti”

Betim Gjoshi nga PDK-ja thotë se ata kanë propozuar tashmë datën e zgjedhjeve dhe janë të gatshëm t’i ofrojnë nënshkrimet për rrëzimin e Qeverisë Kurti.

‘’Jemi duke u përgatitur për zgjedhje, do të bëjmë një ekip i cili do të bëjë një rezultat që do të ndryshoj qeverisjen në Kosovë. Kemi propozuar edhe një datë të mundshme për zgjedhje, pra 9 qershorin dhe jemi të gatshëm nga sot me i dhënë nënshkrimet për me jetësu kërkesën e qytetarëve të Kosovës, që më ia shkurtu jetën kësaj Qeverie’’ deklaroi Gjoshi.

Ai për FrontOnline thotë se PDK me padurim po pret që spektri politik të caktoj datën e zgjedhjeve,

‘’Si PDK nga korriku i vitit kaluar kemi propozuar që kësaj Qeverie të i ndërpritet mandati me shpërndarjen e Kuvendit dhe deri më tash gjitha opsionet tjera kanë qenë të pamundura. Për ne si PDK është me interes që gjithë spektri politik, të arrijë një datë për zgjedhje sepse sa më gjatë që rrinë kjo Qeveri në pushtet është dëm për Kosovën’’, tha ai.

AAK i përgjigjet PDK-së: Të gatshëm të shkojmë në zgjedhje me 9 qershor

Nga AAK për FrontOnline thonë se sa më parë të bie Qeveria Kurti aq më mirë është për Kosovën.

Madje ata thonë se kanë pasur edhe hapa konkret për rrëzimin e Qeverisë që udhëhiqet nga Albin Kurti, duke përmendur mocionin e mosbesimit.

‘’Sa më shpejt që kjo Qeveri të bie, aq më e shëndetshme është për vendin tonë. Hapat konkret AAK i ka marr nënshkrimet për mocion, ku dy partitë tjera opozitare po hezitojnë’’, tha Gazmend Syla, sekretar organizativ i AAK-së për FrontOnline.

Syla thotë se për AAK-në s’ka problem 9 qershori i propozuar nga PDK, si datë për mbajtjen e zgjedhjeve dhe se për këtë parti sa më parë që bie Qeveria Kurti, aq më mirë është për vendin.

‘’Për AAK-në s’ka problem edhe me 9 qershor me shku në zgjedhje, sa më shpejt që të bie kjo Qeveri, aq ma parë, aq më mirë është për neve me u kriju një Qeveri tjetër, sepse Kurti po bën gabime të njëpasnjëshme. Nuk kemi ndonjë datë specifike, por për AAK-në sot është vonë me rënë Qeveria Kurti edhe dje ka qenë vonë’’, tha Syla /FrontOnline

Publikime te ngjashme