Pas plot katër dekadash nga botimi i parë, ka riparë dritën e botimit libri “Valle tradicionale të Opojës”, vepër e autorit Xhemali Berisha, që konsiderohet një nga botimet më të rëndësishme kushtuar trashëgimisë kulturore të trevës së Opojës.
Libri është botuar nga Shtëpia Botuese “Thesari”, dhe vjen i plotësuar me Fjalën e botuesit dhe biografinë e autorit, duke i dhënë veprës një dimension të ri dokumentues dhe promovues.
Ky ribotim nuk synon vetëm ta rikthejë në duart e lexuesve një vepër me vlera të veçanta etnokulturore, por edhe të kontribuojë në ruajtjen e autenticitetit të valleve tradicionale të Opojës, përcjelljen e tyre brezave të rinj dhe krijimin e një baze të dokumentuar që do t’u shërbejë studiuesve, koreografëve, valltarëve dhe të gjithë dashamirëve të folklorit.
Libri dokumenton me seriozitet vallet tradicionale të Opojës, të cilat përfaqësojnë një nga shprehjet më autentike të identitetit kulturor të kësaj treve. Ai paraqet jo vetëm format e valleve, por edhe frymën, estetikën dhe mënyrën e jetesës së opojanëve, duke dëshmuar një trashëgimi të pasur që meriton të ruhet e të kultivohet.
“Shpresoj që ky libër të bëhet një udhërrëfyes i vlefshëm për gjeneratat e reja dhe një nxitje për rikthimin te burimet autentike të folklorit tonë. Ruajtja e trashëgimisë kulturore nuk është përgjegjësi vetëm e studiuesve apo artistëve; ajo është detyrim i secilit prej nesh ndaj brezave që na e lanë këtë pasuri dhe ndaj brezave që do të vijnë pas nesh”, theksohet ndër të tjera në Fjalën e botuesit i cili thekson se ribotimi i kësaj vepre është një shenjë respekti për punën shumëvjeçare të autorit Xhemali Berisha, që me përkushtim dokumentoi një thesar të çmuar të kulturës sonë popullore, duke lënë një dëshmi të vyer për brezat që do të vijnë.
Botimi vjen në një kohë kur, për shkak të ndryshimeve në interpretim, humbjes së mjeshtërve të vjetër të daulles dhe transformimeve në organizimin e dasmave tradicionale, shumë prej valleve të Opojës rrezikojnë të humbin tiparet e tyre burimore. Pikërisht për këtë arsye, ribotimi synon të shërbejë si një pikë referimi për interpretimin sa më besnik të tyre dhe si një kontribut në përpjekjet për njohjen dhe mbrojtjen ndërkombëtare të kësaj pasurie, me synimin që vallet tradicionale të Opojës të përfshihen në Listën Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të UNESCO-s.
“Valle tradicionale të Opojës” nuk është vetëm një libër për vallet; ai është një dëshmi e identitetit, historisë dhe shpirtit krijues të Opojës, si dhe një ftesë për ta njohur, ruajtur dhe promovuar këtë pasuri të rrallë kulturore.
Shkroi: Demir Reshiti


