Dështimi final: Kuvendi vulos shpërndarjen e legjislaturës pas “barrikadimit” të opozitës për presidentin

2 minutes, 5 seconds Read

Pas dështimit të katër tentativave radhazi për të zgjedhur kreun e ri të shtetit, Kuvendi i Kosovës ka publikuar një njoftim zyrtar që detajon rrjedhën dramatike të zhvillimeve të së martës.

Në këtë komunikatë potencohet se, gjatë hapjes së seancës fillestare, kryeparlamentarja Albulena Haxhiu ka riaktualizuar kërkesat kushtetuese dhe procedurat e domosdoshme për përzgjedhjen e Presidentit të Republikës.

e designplus-ks.com
Smart Watches
Buy Now
Headphones
Buy Now

“Duke iu referuar Kushtetutës, Rregullores së Kuvendit dhe aktgjykimeve relevante të Gjykatës Kushtetuese — posaçërisht atij në rastin Nr. KO2911 — si dhe opinioneve të Komisionit të Venecias, kryetarja Haxhiu u ka bërë thirrje të përsëritur deputetëve që mungonin të kthehen në sallë. Ajo ka saktësuar se ligjvënësit e grupeve parlamentare opozitare nuk kanë poseduar asnjë leje zyrtare për të munguar në këtë seancë jetike”, thuhet në njoftim.

Haxhiu u detyrua ta ndërpresë seancën tri herë, ndërsa në vazhdimin e fundit rreth orës 23:00, ajo bëri thirrjen përfundimtare për prezencë në sallë.

“Po presim që opozita t’i lë anash barrikadimet dhe të vijë në sallë. Këto janë minutat e fundit të kësaj legjislature; kjo rrugë e nisur mbarë nuk e meritonte këtë ndërprerje”, u shpreh kryeparlamentarja pak çaste para se të skadonte koha kushtetuese.

Gjatë seancës fjalën e mori edhe ministri i Financave, Hekuran Murati, i cili paralajmëroi për dëmet e mëdha ekonomike nga shkuarja në zgjedhje të reja. Ai theksoi se përveç 10 milionë eurove për organizim, vendi do të humbasë edhe dhjetëra miliona të tjerë, transmeton Klankosova.tv.

Edhe kryeministri Albin Kurti u deklarua gjatë mbrëmjes së të martës, duke shpalosur detaje nga ofertat që u kishte propozuar partive opozitare.

“Sipas tij, Republika e Kosovës praktikisht e ka presidentin, por asaj i mungon konstruktiviteti minimal i opozitës për ta finalizuar këtë proces”, vijon njoftimi zyrtar.

“Gatishmëria e Feride Rushitit është një nder për ne dhe unë e falënderoj që, si lidere nga shoqëria civile, ka pranuar këtë përgjegjësi kandidimi”, ka thënë Kurti.

Në prag të mesnatës, kryekuvendarja konstatoi se kjo seancë po shënonte fatkeqësisht fundin e procesit zgjedhor dhe të vetë legjislaturës.

“Mbështetur në Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, ky Kuvend konsiderohet i shpërndarë dhe zgjedhjet e reja do të shpallen brenda afateve të parapara”./lajmishqip.net

Publikime te ngjashme