Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ermal Sadiku, ka bërë të ditur se ky subjekt ka shteruar çdo mundësi për të kontribuar në zhbllokimin e ngërçit politik rreth zgjedhjes së presidentit, ndonëse ka theksuar se epilogu nuk varet nga LDK-ja.
Sadiku ka bërë me dije se partia e tij mbetet e gatshme për një kompromis konsensual apo marrëveshje politike, duke vënë gishtin te mungesa e gatishmërisë nga pala tjetër për të arritur një dakordim konkret.
“Ne qëndrojmë në pozicionet tona. Jemi duke investuar gjithë energjinë tonë për atë që na takon. Jemi pro zgjidhjes konsensuale dhe marrëveshjes politike, por kornizat tona mbarojnë këtu. Çdo gjë që është pritur nga LDK-ja, tashmë është realizuar”, ka deklaruar ai për FrontOnline.
Sipas tij, me gjithë takimet e realizuara dhe propozimet specifike që janë hedhur në tryezë, ende nuk ka një rezultat final për procesin e zgjedhjes së kreut të shtetit.
“Deri më tani nuk ka marrëveshje, pasi për këtë duhet vullnet i dyanshëm. Ne ofrojmë idetë tona, mirëpo duhet kuptuar se LVV ka 57 deputetë, ndërsa ne si opozitë kemi 15”, u shpreh Sadiku.
Ai ka shtuar se LDK-ja nuk ka bojkotuar asnjë proces, duke komunikuar me të gjitha taborret politike, por ka ritheksuar se barra e dështimit apo suksesit rëndon mbi shumicën parlamentare.
“Kemi qenë pjesë e tryezave dhe kemi biseduar me të gjithë, duke u munduar të japim kontributin tonë, por kjo nuk është në dorën tonë. Një marrëveshje është e mundshme, por aktualisht vërehet një mungesë e theksuar e vullnetit nga ana e LVV-së”, ka deklaruar Sadiku për FrontOnline./lajmishqip.net

