Aktivistja e mirënjohur serbe, Natasha Kandiq, gjatë një lidhjeje direkte në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, ka adresuar polemikat rreth ekspozitës “Masakrat në Kosovë 1998-1999”, projekt ky që nxiti indinjatë të thellë publike për shkak të pretendimeve për shtrembërim të historisë.
Gjatë bisedës, ajo vuri theksin te domosdoshmëria e paraqitjes së fakteve të pakontestueshme, të cilat duhet të mbështeten mbi dëshmi të sakta e të verifikueshme shkencërisht.
“Është jetike zbulimi i të dhënave që janë plotësisht të vërtetuara dhe që dëshmojnë qartë statusin e personave, qofshin ata të burgosur apo të privuar nga liria, pa u shënuar gabimisht si ushtarë nëpër lista apo databaza”, deklaroi ajo.
Kandiq shfaqi rezerva serioze lidhur me metodologjinë e realizimit të kësaj ekspozite, duke konstatuar mungesën e një qasjeje profesionale gjatë prezantimit të materialeve dokumentuese.
“Në atë që pashë, vërehet një mosdije totale se si ndërtohet një ekspozitë, ku fokusi nuk duhet të jetë te numrat, por te emrat e njerëzve. Është mungesë elementare njohurish dhe ndjeshmërie të pretendohet se në burgun e Dubravës janë vrarë 48 persona të armatosur”, u shpreh prerazi Kandiq.
“Shtrohet pyetja pse realizohet një ekspozitë nëse nuk pasqyrohet vuajtja e viktimave dhe përgjegjësia e autorëve, sidomos kur dihet se në Dubravë dhe lokacione të tjera kanë ndodhur krime të tmerrshme”, përfundoi ajo./lajmishqip.net









