Një operacion i gjerë policor kundër trafikut të lëndëve narkotike është realizuar gjatë ditës së sotme në rajonin e Suharekës, ku njësitet e specializuara goditën një rrjet të dyshuar për veprimtari ilegale.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, ka bërë të ditur zyrtarisht se si rezultat i aksionit të koduar si “Kimisti”, në pranga kanë përfunduar tre persona të dyshuar.
Gjatë bastisjeve, organet e rendit kanë arritur të sekuestrojnë rreth 1 kilogram substancë të dyshuar të llojit heroinë, bashkë me disa armë zjarri dhe një sasi të konsiderueshme municioni luftarak.
“Ju konfirmoj se operacioni ‘Kimisti’ u iniciua pas një hetimi të përbashkët mes Policisë dhe Prokurorisë, duke aplikuar masa të veçanta hetimore që çuan në këtë aksion të suksesshëm. Përveç konfiskimit të lëndës narkotike, operacioni rezultoi me arrestimin e tre personave të dyshuar për implikim në këtë veprimtari kriminale. Kontrollet u ushtruan në tri lokacione të ndryshme në Suharekë, ku përveç drogës u gjetën edhe armë e municion. Të gjitha këto veprime janë koordinuar ngushtë me Prokurorinë Themelore në Prizren, teksa mbetemi të përkushtuar në çrrënjosjen e këtyre rrjeteve kriminale”, ka deklaruar Hoxha /lajmishqip.net









