Teherani zyrtar ka shënjestruar Tel Avivin me raketa që mbanin koka bërthamore thërrmuese, në atë që televizioni shtetëror iranian e cilësoi të mërkurën si hakmarrje direkte për vrasjen e shefit të sigurisë, Ali Larijani, nga forcat izraelite.
Gjatë sulmit të kryer natën e së martës humbën jetën dy persona në një lagje me popullsi të dendur pranë Tel Avivit, zonë kjo që strehon objekte me rëndësi strategjike ushtarake, duke e çuar bilancin e viktimave në Izrael në të paktën 14 sosh. Përmes një deklarate të Trupave të Gardës Revolucionare Islamike, të transmetuar në mediat shtetërore, u bë e ditur se arsenali i përdorur përfshinte raketat e tipit Khorramshahr 4 dhe Qadr, të pajisura me koka bërthamore me shumë predha, raporton Reuters.
Izraeli ka potencuar se Irani po përdor në mënyrë të vazhdueshme koka bërthamore thërrmuese, të cilat shpërndahen në shumë eksplozivë më të vegjël gjatë fluturimit duke mbuluar zona të gjerë, faktor ky që e bën asgjësimin e tyre mjaft të vështirë, transmeton Sinjali.
Në territorin iranian, një predhë ka goditur një zonë pranë centralit bërthamor të Bushehrit të martën mbrëma, mirëpo autoritetet njoftuan Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike se nuk ka dëme apo të lënduar. Kreu i IAEA-së, Rafael Grossi, ka ripërsëritur thirrjen për përmbajtje të skajshme gjatë këtij konflikti, me qëllim që të shmanget çdo rrezik për aksident të mundshëm bërthamor me përmasa globale.
Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara kanë deklaruar se parandalimi i programit të armëve bërthamore të Iranit ishte synimi kryesor i sulmeve të nisura para dy javësh, ku mbetën të vrarë lideri suprem i vendit dhe zyrtarë të tjerë të rangut të lartë.
Qeveria në Teheran konfirmoi të martën eliminimin e Larijanit, i cili konsiderohet figura më e lartë e shënjestruar që nga fillimi i luftës SHBA-Izrael, pas sulmit që i mori jetën liderit suprem, Ajatollah Ali Khamenei.
Këshilli i Lartë i Sigurisë Kombëtare, institucion që drejtohej nga Larijani, njoftoi se djali i tij dhe zëvendësi Alireza Bayat u vranë po ashtu gjatë një sulmi izraelit mbrëmjen e së hënës.
Këto vrasje të shënjestruara po ndodhin në kohën kur lufta SHBA-Izrael ndaj Iranit nuk po jep asnjë shenjë të de-eskalimit të tensioneve.
Lideri i ri suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, ka hedhur poshtë të gjitha propozimet e dërguara në Ministrinë e Jashtme për ulje të tensioneve apo armëpushim me SHBA-në, sipas një zyrtari të lartë iranian që foli në kushte anonimiteti.
Khamenei, gjatë mbledhjes së tij të parë për politikë të jashtme, ka thënë prerazi se nuk është koha për paqe derisa SHBA-ja dhe Izraeli të gjunjëzohen, të pranojnë disfatën dhe të paguajnë dëmshpërblimet, ka bërë të ditur ky burim.
I njëjti zyrtar nuk ka sqaruar nëse Khamenei i ri, i cili ende nuk është shfaqur publikisht në media që nga emërimi i javës së kaluar pas vrasjes së babait të tij, ishte i pranishëm personalisht apo përmes lidhjes nga distanca.
Në anën tjetër, Irani ka ekzekutuar një person të dënuar për spiunazh në favor të Izraelit, siç raportuan mediat e gjyqësorit vendas të mërkurën.
Personi i identifikuar si Kurosh Keyvani u dënua me vdekje pasi u akuzua se i kishte ofruar agjencisë Mossad fotografi dhe informacione sekrete mbi lokacionet e ndjeshme në Iran.
Ofensiva izraelite shtrihet në mbarë Libanin
Në Liban, një sulm ajror izraelit ka goditur lagjen Bachoura në qendër të Bejrutit të mërkurën, sipas dëshmive të mbledhura nga Reuters. Shpërthime të fuqishme janë dëgjuar në të gjithë zonën, pasi ushtria izraelite paraprakisht u bëri thirrje banorëve që të evakuoheshin nga ndërtesa e shënjestruar.
Ky sulm ishte pjesë e një vale të gjerë goditjesh izraelite në Liban, duke përfshirë bastisje në pjesë të tjera të kryeqytetit dhe në rajonet jugore e lindore, gjë që dëshmon intensifikimin e fushatës kundër Hezbollahut.
Nga sulmet ajrore në Bejrut herët të mërkurën mbetën të vrarë të paktën gjashtë persona dhe u plagosën 24 të tjerë, sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë libaneze. Në pjesët jugore dhe lindore të vendit, agjencia shtetërore e lajmeve raportoi për të paktën 14 viktima të tjera si pasojë e sulmeve të ndara.
Këto zhvillime e zhytin Libanin edhe më thellë në vorbullën e luftës, e cila nisi kur Hezbollahu sulmoi Izraelin më 2 mars si akt hakmarrës për liderin suprem iranian. Izraeli është përgjigjur me një ofensivë masive që ka shkaktuar mbi 900 të vdekur në Liban dhe ka detyruar rreth 800,000 qytetarë të braktisin shtëpitë e tyre.
Grupi për të drejtat e njeriut HRANA raportoi të hënën se rreth 3,000 njerëz janë vrarë në Iran që nga fillimi i sulmeve në shkurt. Nga ana tjetër, sulmet iraniane kanë shkaktuar viktima në Irak, në shtetet e Gjirit dhe në territorin e Izraelit.
SHBA shënjestron bregdetin iranian në Ngushticën e Hormuzit
Ushtria amerikane njoftoi të martën se ka goditur pozicionet përgjatë vijës bregdetare iraniane pranë Ngushticës së Hormuzit me bomba shkatërruese të bunkerëve, me arsyetimin se raketat iraniane po rrezikonin transportin detar ndërkombëtar.
Kjo ngushticë, që shërben si pikë kyçe për tregtinë globale të naftës, mbetet pothuajse e bllokuar ndërsa Irani kërcënon me sulme ndaj anijeve që kanë lidhje me SHBA-në dhe Izraelin. Si pasojë e kësaj situate, çmimet e naftës kanë shënuar një rritje të paprecedentë në tregjet botërore.
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka kritikuar ashpër ditët e fundit vendet aleate për atë që ai e quajti reagim të mefshtë ndaj kërkesave për ndihmë ushtarake për hapjen e rrugëve detare.
Shumica e aleatëve të NATO-s i kanë bërë të ditur Trumpit se refuzojnë përfshirjen në këtë konflikt, qëndrim të cilin ai e ka cilësuar si një “gabim shumë të pamend”.
Uashingtoni ka ofruar arsyetime të ndryshme për përfshirjen në sulmet ndaj Iranit, ndonëse po përballet me kritika për bazën ligjore të kësaj lufte, fakt që u nënvizua edhe nga dorëheqja e Joseph Kent, kreut të Qendrës Kombëtare Kundër Terrorizmit. Kent në letrën e tij theksoi se Irani nuk përbënte asnjë kërcënim të menjëhershëm për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara.
Irani u është përgjigjur këtyre operacioneve me sulme të gjera mbi fqinjët e tij në rajonin e Gjirit.
Shtetet arabe janë përballur me më shumë se 2 mijë sulme me raketa e dronë ndaj bazave amerikane dhe infrastrukturës kritike, ku Emiratet e Bashkuara Arabe mbeten shënjestra kryesore.
Arabia Saudite pritet të organizojë një takim urgjent të ministrave të jashtëm islamikë në Riad për të diskutuar mënyrat e stabilizimit të sigurisë rajonale mes këtij kaosi.
Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë ka paralajmëruar se kjo luftë ka prodhuar krizën më të rëndë të naftës që nga vitet e 1970-ta.
Megjithatë, çmimet ranë lehtë të mërkurën pasi Bagdadi dhe autoritetet kurde arritën marrëveshje për rifillimin e eksporteve përmes Turqisë, duke ofruar një fije shprese për tregjet.
Pavarësisht kësaj, pa asnjë shenjë për paqe, nafta Brent po qëndron mbi vlerën prej 100 dollarësh për fuçi për të katërtën ditë radhazi.
Vlera e naftës është rritur me rreth 45% që nga fillimi i luftës, duke nxitur frikën për një valë të re inflacioni global. Programi Botëror i Ushqimit ka paralajmëruar se miliona njerëz rrezikojnë urinë nëse konflikti nuk ndalet deri në qershor.
Gjithashtu, kompanitë ajrore kanë dhënë alarmin për rritjen e çmimit të karburantit, gjë që do të sjellë tarifa më të larta dhe anulime të linjave. Aviacioni global po përballet me kaos total, teksa pjesa më e madhe e hapësirës ajrore në Lindjen e Mesme mbetet e mbyllur për shkak të rrezikut nga raketat /lajmishqip.net










