Profesori Enver Hasani ka pranuar ftesë zyrtare për të dëshmuar pranë Prokurorisë Themelore në Prishtinë, lidhur me denoncimet e tij publike për falsifikim të diplomës nga ana e dekanit të Fakultetit Juridik në Universitetin e Prishtinës, Avni Puka.
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese ka konfirmuar tashmë se intervistimi i tij nga organi i akuzës është caktuar të mbahet gjatë ditës së sotme, më 17 mars 2026.
Ky zhvillim pason deklaratat e bujshme të Hasanit në emisionin “Betimi për Drejtësi”, ku ai pretendoi se posedon dëshmi materiale që vërtetojnë se doktorata e dekanit Puka është e falsifikuar dhe se punimi tjetër shkencor përbën plagjiaturë. Për më tepër, ai ishte ankuar se deri më tani nuk ishte ftuar asnjëherë zyrtarisht për t’i dorëzuar këto prova që posedon.
Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte njoftuar më 26 shkurt se, pas këtyre prononcimeve publike, ka lëshuar autorizim të menjëhershëm për Policinë e Kosovës që të nisë veprimet hetimore mbi këto pretendime.
Sipas njoftimit zyrtar, ky hap është ndërmarrë me qëllim të sigurimit të informatave dhe dëshmive të cilat zoti Hasani ka deklaruar se i posedon, për të zbardhur tërësisht rastin dhe për të identifikuar veprimet eventuale inkriminuese.
Profesori Hasani kishte insistuar vazhdimisht se dekani Avni Puka mban një diplomë doktorate të falsifikuar dhe punim tjetër të vjedhur, duke u shprehur i gatshëm t’i dorëzojë dëshmitë që deri më tani nuk i ishin kërkuar nga shteti./lajmishqip.net









