Zyra e Presidentes së Kosovës ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të Halil Gecit, i cili në një postim publik e ka cilësuar Vjosa Osmanin si “tradhtare”, duke përdorur madje edhe termin skandaloz “pushkatim”.
Në reagimin zyrtar të Presidencës, potencohet se këto deklarime nuk mund të konsiderohen si kritikë apo mendim i lirë, por janë gjuhë e rrezikshme që synon normalizimin e dhunës politike në vend.
“Republika e Kosovës nuk është dhe nuk do të lejojë asnjëherë që aktivistët politikë të vetëshpallen gjykatës e të japin dënime kapitale për krerët e shtetit të zgjedhur me votën e qytetarëve. Ky mentalitet që prodhon sulme të tilla është i njëjti që për dekada të tëra ka helmuar diskursin publik përmes etiketimeve, shpifjeve dhe fushatave linçuese”, thuhet në komunikatë.
“Presidentja Osmani nuk përfaqëson ‘veglën’ e asnjë rrethi dhe as nuk është pjesë e skenarëve konspirativë për tradhti të supozuar. Ajo është udhëheqësja legjitime e Republikës së Kosovës, e cila ushtron detyrën e saj mbi bazamentin e palëkundur të Kushtetutës”, vijon më tej reagimi.
“Liria e Kosovës është paguar me çmim shumë të lartë për t’u toleruar sot gjuha denigruese ndaj institucioneve më të larta shtetërore. Thirrjet e hapura për ‘pushkatim’ nuk përbëjnë retorikë politike, por nxitje të drejtpërdrejtë për krim dhe dhunë të organizuar. Kushdo që beson se mund ta intimidojë një Presidente përmes shpifjeve të tilla, dëshmon qartazi se nuk është pajtuar ende me parimet e një Republike demokratike”.
Presidenca i ka drejtuar thirrje urgjente organeve kompetente të rendit dhe drejtësisë që të merren seriozisht me këtë rast dhe nxitjet e tilla.
Halil Geci, para pak orësh, ka publikuar një video ku e akuzon Presidenten Osmani për akt tradhtie, duke deklaruar hapur se “po të ishte në Turqi, ajo do të pushkatohej”.
“Shihni se si Vjosa iu bashkua skemave të tradhtisë – si një instrument i puçit të grupit ‘Pronto’. Baton Haxhiu i tregon gazetares se kush e ka orkestruar takimin në fjalë: ‘UNË.’ Ja pse kjo ‘patriote’, që emrin e Rugovës e përdor vetëm si mjet për konsum politik, realizoi këtë grushtshtet. Po të ndodhte në Turqi, ajo do të dërgohej para skuadrës së pushkatimit”, shkruhet në postimin e tij./lajmishqip.net










