Një grup qytetarësh serbë kanë protestuar këtë të martë përpara Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, e cila ndodhet në të njëjtën ndërtesë me selinë e Bashkimit Evropian. Përmes këtij tubimi, ata kanë kërkuar zyrtarisht anulimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura deri më tani me Kosovën.
Sipas raportimeve nga mediumi serb “Danas”, ky aktivitet u organizua nga iniciativa “Tubimi serb”, një organizatë pak e njohur për opinionin publik, me rastin e 18-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Gjatë protestës, organizatorët lëshuan mesazhe të ashpra, duke deklaruar se “herët a vonë, me dëshirë apo me forcë, Kosova do të rikthehet në rendin kushtetues-juridik të Serbisë”.
Tubimi u përqendrua para selisë së BE-së me pretendimin se në atë ndërtesë po finalizohen “marrëveshjet me regjimin tradhtar në Beograd”, të cilat, sipas protestuesve, po çojnë drejt ndarjes përfundimtare të Kosovës. Në kanalet sociale ku protesta u transmetua drejtpërdrejt, u pretendua se po përgatitet mbyllja e shpejtë e institucioneve të mbetura të Serbisë në Kosovë, proces ky që thuhet se mbështetet nga Brukseli dhe Beogradi zyrtar.
Ndërsa është paralajmëruar një tjetër protestë para Qeverisë së Serbisë, reagimet zyrtare mbeten të pakta. Jetish Jashari nga Zyra Ndërlidhëse e Kosovës sugjeroi që për këtë çështje të kontaktohet Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës. Kjo e fundit ende nuk ka dhënë një përgjigje zyrtare lidhur me situatën e krijuar. /lajmishqip.net
