Alarmi i ambasadorit Hargreaves: rinumërimi rrezikon afatet për zgjedhjen e presidentit

1 minute, 30 seconds Read

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka komentuar zhvillimet e fundit politike, me fokus të veçantë te vendimi për rinumërimin total të votave. Ndonëse e vlerësoi këtë proces si jetik për integritetin zgjedhor, diplomati britanik paralajmëroi se vonesat mund të rrezikojnë afatet kushtetuese për zgjedhjen e kreut të shtetit.

Hargreaves nënvizoi domosdoshmërinë që procesi i zgjedhjes së Presidentit të ri të zhvillohet brenda kornizave kohore të parashikuara. Kujtojmë se presidentja aktuale, Vjosa Osmani, ka shprehur tashmë synimin për një mandat të dytë.

“Ky proces bart rreziqe për afatet kohore. Shpresoj që Komisioni ta përfundojë rinumërimin sa më parë, pasi është jetike që zgjedhja e presidentit të kryhet me kohë. Jam i bindur se të gjitha partitë janë të përkushtuara, duke kuptuar peshën që këto procese kanë për stabilitetin e Kosovës”, deklaroi Hargreaves.

Ambasadori u bëri thirrje subjekteve politike që, pas certifikimit të rezultateve, të bashkohen për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e qeverisë. Sipas tij, funksionalizimi i shpejtë i institucioneve është i domosdoshëm për miratimin e buxhetit dhe marrëveshjeve ndërkombëtare.

Për diplomatin britanik, viti 2026 duhet të jetë një vit i progresit drejt integrimit evropian. “Në vitin e 19-të të shtetësisë, Kosova ka nevojë për një qeveri vendimmarrëse që avancon drejt BE-së dhe organizatave ndërkombëtare, duke vazhduar rrugën mbresëlënëse demokratike të viteve të fundit”, u shpreh ai për T7.

Deri më tani, janë rinumëruar 742 vendvotime nga gjithsej 2,557 sa janë në nivel vendi. Ndërkohë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se shpallja e rezultateve përfundimtare pritet të ndodhë në fillim të muajit shkurt. /lajmishqip.net

Publikime te ngjashme