Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, u ka dhënë një mbështetje të hapur protestuesve që po sfidojnë regjimin në Iran, duke i inkurajuar të vijojnë qëndresën dhe duke u premtuar se mbështetja amerikane po afron.
“Patriotë iranianë, vazhdoni të protestoni dhe merrni në kontroll institucionet tuaja. Dokumentoni emrat e vrasësve dhe abuzuesve, pasi ata do të paguajnë një çmim tejet të lartë,” shkroi kreu i Shtëpisë së Bardhë në rrjetin social “Truth Social”, sipas raportimeve të gazetës britanike “The Guardian”.
Më tej, Trump bëri të ditur se ka ndërprerë çdo komunikim me zyrtarët iranianë si kushtëzim për ndaljen e dhunës. “I kam anuluar të gjitha takimet derisa të pushojë vrasja e pakuptimtë e protestuesve. Ndihma është rrugës. MIGA!!!”, shtoi ai në postimin e tij.
Ndonëse mbetet ende e paqartë natyra e ndihmës së premtuar, sekretarja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, sqaroi paraprakisht se sulmet ajrore janë pjesë e “shumë, shumë opsioneve” që po shqyrtohen nga presidenti. Megjithatë, ajo nënvizoi se rruga diplomatike mbetet gjithmonë zgjedhja prioritare e Uashingtonit. /lajmishqip.net
