Ministri në detyrë i Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka reaguar me kritika të ashpra ndaj Gjykatës Kushtetuese pas shfuqizimit të Ligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Sipas tij, Gjykata ka shkelur afatet ligjore për vendimmarrje duke e mbajtur ligjin “në sirtarë” për më shumë se një vit.
“Pas një viti e 28 ditësh pritjeje, pranuam aktgjykimin lidhur me këtë projektligj. Gjykata, pasi tejkaloi afatet ligjore, konstatoi shkelje procedurale gjatë miratimit në Kuvend, duke e kthyer procesin në pikën zero. Është joligjore, joprofesionale dhe joetike që një iniciativë jetike për luftimin e krimit dhe korrupsionit të zyrtarëve publikë të bllokohet për kaq gjatë vetëm për çështje procedurale. Vonesa të tilla cenojnë kompetencat kushtetuese të Qeverisë dhe Kuvendit,” shkroi Sallahu në rrjetet sociale.
Pavarësisht kësaj goditjeje ligjore, Sallahu u shfaq i prerë në qëllimin e ekzekutivit, duke premtuar se procesi nuk do të ndalet. “Mund të themi me siguri se, përkundër pengesave nga aktorë me axhenda të caktuara, konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme do të nisë brenda këtij viti!” theksoi ai.
Gjykata Kushtetuese njoftoi të premten shfuqizimin e 12 ligjeve, përfshirë edhe atë të Byrosë, për shkak të shkeljeve të Rregullores së Kuvendit. Sipas vendimit, shqyrtimi i dytë i projektligjeve ishte bërë pa respektuar afatin e nevojshëm prej 72 orësh nga miratimi në parim, një procedurë që mund të shmanget vetëm në raste të gjendjes së jashtëzakonshme. Deputetët e mazhorancës kishin miratuar 13 ligje në të dy leximet brenda ditës, veprim ky që u cilësua antikushtetues. /lajmishqip.net
