Alarmi i sindikatave: Klasa punëtore në udhëkryq, kërkohet formimi i menjëhershëm i qeverisë për të ndalur krizën

3 minutes, 48 seconds Read

Gjatë vitit 2025, punëtorët e sektorit privat dhe publik në Kosovë kanë pësuar një goditje të rëndë socio-ekonomike si pasojë e ngërçit institucional, ku vendi u administrua për gati një vit nga një qeveri në detyrë, raporton Ekonomia Online. Liderët sindikalë tashmë kërkojnë që ekzekutivi i ardhshëm të prioritizojë urgjentisht dialogun social, rritjen e pagave dhe zbatimin e kornizës ligjore që ka mbetur peng ndër vite.

Kryetari i Federatës Sindikale të Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka bërë të ditur për Ekonomia Online se punëtorët kanë mbetur pa mburojë institucionale, ndërsa premtimet e vjetra që nga viti 2021 kanë mbetur vetëm në letër.

Sipas tij, inflacioni galopant ka gërryer fuqinë blerëse të punëtorëve në sektorin privat, duke i zhytur ata në një varfëri të paprecedentë, derisa komunikimi mes qeverisë dhe sindikatave është ndërprerë pothuajse tërësisht.

“Fillimisht, deputetët e rinj duhet të dëshmojnë etikë njerëzore para se të ushtrojnë funksionin politik. Në mandatin e fundit, veprimet e tyre jo vetëm që s’ishin profesionale, por dëmtuan rëndë dinjitetin e punëtorëve. Kërkesat tona mbeten ato të vitit 2021, të cilat Kryeministri pati premtuar t’i realizonte, duke përfshirë marrëveshjen kolektive, Gjykatën e Punës dhe ligjin për sigurimet, por deri sot asgjë nuk është jetësuar. Eksperienca e kaluar nuk na jep shumë optimizëm, ndaj kërkojmë dialog të sinqertë për të përmirësuar gjendjen e punëtorëve të sektorit privat, të cilët sot janë më të varfër se kurrë për shkak të inflacionit,” u shpreh ai.

Azemi paralajmëroi se situata është alarmante, pasi brenda katër viteve të fundit mbi 200 mijë persona, kryesisht nga sektori privat, kanë zgjedhur emigrimin si rrugëshpëtim.

Ai denoncoi gjithashtu moszbatimin e pagës minimale prej 350 eurosh, duke vënë në dukje se shumë punëtorë ende paguhen me 292 euro, ndërsa në kompanitë që varen nga buxheti i shtetit pagat vonohen me muaj të tërë.

“Me ikjen e mbi 200 mijë punëtorëve në katër vite, gjendja nuk ka ku të shkojë më keq; ne sot vetëm po mbijetojmë. Nuk shoh dritë në fund të tunelit me këto politika ku deputetët punojnë për përfitime personale dhe nuk japin llogari para zgjedhësve. Është e papranueshme që sot punëtorët në kompanitë publiko-private mbeten pa paga për 3-4 muaj vetëm për shkak të kokëfortësisë së individëve brenda sistemit udhëheqës,” kritikoi Azemi.

Nga ana tjetër, Ali Gashi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Administratës, ka kërkuar masa konkrete nga qeveria e re për të rregulluar pozitën e shërbyesve civilë në vend.

Ai specifikoi se kërkesa bazë është rritja e koeficientit të pagave për 50 për qind, krahas harmonizimit të Ligjit të Pagave dhe atij për Zyrtarët Publikë me vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

“Ne kërkojmë rritje të koeficientit për 50 për qind, pasi shërbimi civil meriton trajtim dinjitoz. Është e domosdoshme që Ligji i Pagave të plotësohet sipas aktgjykimit të Kushtetueses, i cili po injorohet prej një viti, si dhe të rishikohet Ligji për Zyrtarët Publikë që po dëmton stafin. Nevojitet konstituimi i menjëhershëm i Këshillit Ekonomiko-Social, nënshkrimi i marrëveshjes kolektive dhe zbatimi i sigurimit shëndetësor. Gjithashtu, duhet një ligj për sigurimet shoqërore, sepse sot familjet e punëtorëve që vdesin në vendin e punës mbeten në mëshirë të fatit,” deklaroi Gashi.

Gashi bëri thirrje për riaktivizimin e Këshillit Ekonomiko-Social dhe nisjen e menjëhershme të aplikimit të ligjit për sigurime shëndetësore si prioritet kombëtar.

Ai vuri theksin te mungesa e mbrojtjes ligjore për aksidentet në punë, ku punëtorët që humbin jetën ose pësojnë sëmundje profesionale nuk gëzojnë asnjë përkrahje nga shteti.

“I bëjmë thirrje partive politike të lënë anash inatet dhe kapriçot, sepse pasojat e bllokadave të tyre po i bart populli dhe shoqëria në tërësi. Institucionet duhet të formohen në kohë rekorde për të zëvendësuar qeverinë në detyrë, duke vendosur rritjen e pagave dhe skemat sociale si pika prioritare për të dy sektorët,” përfundoi ai./lajmishqip.net

Publikime te ngjashme