Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë të ditur se struktura e ekzekutivit të ardhshëm nuk do të pësojë transformime rrënjësore. Sipas tij, hapat e radhës mbeten certifikimi zyrtar i rezultateve zgjedhore dhe mbledhja e Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, ku do të konfirmohen edhe emrat konkretë të kabinetit.
“Duhet të presim certifikimin e plotë të rezultateve dhe mbledhjen e Kryesisë. Megjithëse nuk mund të konfirmoj një përbërje identike në këto momente, nuk besoj se do të ketë ndryshime të mëdha,” deklaroi Kurti, duke lënë të kuptohet se stabiliteti i ekipit aktual mbetet prioritet.
Paralelisht me formimin e qeverisë, Kurti u ndal edhe te çështja e kreut të shtetit. Ai njoftoi një takim të afërt me presidenten aktuale, Vjosa Osmani, për të koordinuar hapat drejt zgjedhjes së re. Kryeministri në detyrë rikujtoi sfidën numerike, duke theksuar se për zgjedhjen e presidentit është i domosdoshëm sigurimi i kuorumit prej 80 deputetëve në sallën e Kuvendit.
“Do të diskutojmë mundësitë me presidenten Osmani, pasi na nevojitet prania e 80 deputetëve për të proceduar,” u shpreh ai. Kujtojmë se pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, ku Vetëvendosje triumfoi me 49.41% të votave, kjo forcë politike pritet të përfaqësohet me 56 mandate në legjislaturën e re. /lajmishqip.net
