Tragjedi në Pejë: gjenden pa shenja jete dy persona në një villë, nis hetimi

1 minute, 36 seconds Read
Banner Description

Dy persona janë gjetur pa shenja jete në një villë në rrugën e KFOR-it në qytetin e Pejës, kanë konfirmuar autoritetet. Rasti është bërë i ditur nga Policia e Kosovës, e cila thotë se ekipet relevante kanë dalë në vendngjarje dhe kanë nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e vdekjes.

Lajmin për Gazetën Online Reporteri.net e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi. Ai bëri të ditur se policia është njoftuar rreth orës 15:10, pas dyshimeve se në një villë në rrugën e KFOR-it ndodheshin dy persona pa shenja jete.

Sipas tij, menjëherë pas marrjes së informacionit, njësitet policore janë nisur drejt vendngjarjes, ndërsa paralelisht është njoftuar edhe Emergjenca e qytetit. Mjeku kujdestar, me të arritur në vend, ka konstatuar vdekjen e dy personave.

“Rreth orës 15:10 policia në Pejë është njoftuar se në rrugën e KFOR-it, në një villë, po dyshohet se dy persona janë pa shenja jete. Policia menjëherë është nisur në vendngjarje, njëkohësisht është njoftuar edhe Emergjenca e qytetit. Mjeku kujdestar me të arritur ka konfirmuar vdekjen e dy personave. Në vend të ngjarjes janë njësitet kompetente të cilat janë duke kryer hetimet për të kuptuar shkaqet”, ka deklaruar Gashi.

Reporteri.net raporton se viktimat janë të moshës rreth 20 dhe 25 vjeç. Ndërkohë, rastin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi, i cili tha se bëhet fjalë për një burrë dhe një grua.

Nikçi shtoi se në vendin e ngjarjes kanë dalë prokurori i krimeve të rënda dhe zyrtarë të Policisë së Kosovës, ndërsa hetimet po vazhdojnë për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e këtij rasti tragjik.

“Po punohet në zbardhjen e rrethanave të rastit”, ka deklaruar Nikçi. /lajmishqip.net

Publikime te ngjashme