Mbyllet numërimi i parë, zbardhen shifrat rekorde të mërgatës dhe votave me kusht

0 minutes, 56 seconds Read
Banner Description

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur përmbylljen e numërimit të votave për subjektet politike në gjithsej 2,557 vendvotime. Pas këtij procesi, materialet zgjedhore janë tërhequr dhe janë transportuar drejt Qendrave Komunale të Numërimit në 38 komunat e vendit.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, sqaroi se në këto qendra do të vijojë numërimi i votave për kandidatët individualë. Paralelisht, do të kryhet verifikimi i rezultateve për partitë politike, duke u bazuar rreptësisht në formularët e plotësuar menjëherë pas numërimit fillestar.

Përveç procesit të rregullt, KQZ ka administruar edhe votat me kusht dhe ato të personave me nevoja të veçanta, ku në 57 vendvotime të tilla janë regjistruar mbi 9,900 votues.

Një interesim i jashtëzakonshëm është shënuar në mërgatë, ku pjesëmarrja ka arritur në 84.24%. Nga 19,187 qytetarë të regjistruar në 29 përfaqësi diplomatike, kanë votuar 16,165 prej tyre. Ndërkohë, për votimin përmes postës janë regjistruar rreth 58,000 votues, proces ky që po vijon me tërheqjen e pakove me fletëvotime. /lajmishqip.net

Publikime te ngjashme