“Qielli i thyer” – 33 në paraburgim dhe pasuri të sekuestruara rreth 80 milionë euro

1 minute, 17 seconds Read
Banner Description

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka intensifikuar veprimet në rastin e koduar “Qielli i thyer”, ku të paktën 33 persona ndodhen aktualisht në paraburgim, ndërsa vlera totale e pasurisë së sekuestruar dhe e mjeteve të ngrira ka arritur rreth 80 milionë euro.

Sipas njoftimit të publikuar, rasti është shënjestruar në takimin e radhës të Ekipit të Përbashkët për Përzgjedhjen dhe Shenjëstrimin e Krimeve të Rënda, i zhvilluar nën udhëheqjen e kryeprokurorit Blerim Isufaj. Autoritetet kanë ndërmarrë masa të gjera të konfiskimit dhe bllokimit të pasurisë, si pjesë e strategjisë për t’i goditur rrjetet kriminale jo vetëm me arrestime, por edhe me “prerjen” e burimeve financiare.

Në detaje, Sistemi Prokurorial ka bërë të ditur se janë ndaluar pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme në vlerë rreth 60 milionë euro, janë ngrirë mjete financiare në llogari bankare rreth 1.5 milionë euro, si dhe janë sekuestruar 80 vetura luksoze me vlera milionëshe.

Rasti “Qielli i thyer” lidhet me dyshime për disa vepra të rënda penale: pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal, blerje/posedim/shpërndarje të paautorizuar të narkotikëve, shpëlarje parash, falsifikim të parasë dhe dokumenteve, si dhe mbajtje të paautorizuar të armëve. Prokuroria ka paralajmëruar se hetimet janë në vazhdim dhe priten edhe veprime të tjera ligjore.

Ky zhvillim e rikthen në fokus debatin publik për luftën ndaj krimit të organizuar dhe efektin real të konfiskimit të pasurisë në dobësimin e rrjeteve kriminale./lajmishqip.net

Publikime te ngjashme