Reuters: Zgjedhjet e 28 dhjetorit, në hijen e bllokadës dhe “vrimës” 1 miliardë euro

1 minute, 16 seconds Read
Banner Description

Kosova shkon drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 28 dhjetor, pas një ngërçi gati njëvjeçar politik që çoi në shpërndarjen e Kuvendit dhe la një boshllëk financiar rreth 1 miliard euro në një ekonomi tashmë të brishtë.

Sipas raportimit, Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit Albin Kurti fitoi zgjedhjet e fundit, por nuk arriti shumicën dhe as të gjente partner koalicioni pas një fushate të ashpër. Frika kryesore është përsëritja e një skenari të ngjashëm, që do ta zgjaste krizën institucionale pikërisht në prag të afateve të rëndësishme: ratifikimi i huave ndërkombëtare dhe zgjedhja e presidentit të ri brenda pak muajsh.

Reuters thekson se vonesat kanë pasur kosto të prekshme: rreth 880 milionë euro fonde të BE-së për buxhetin janë shtyrë, si dhe 127 milionë euro mbështetje nga Banka Botërore. Madje, një pjesë e këtyre fondeve rrezikon të humbet nëse nuk ratifikohen me kohë në Kuvend, me afate që përmenden deri në shkurt dhe më pas në prill–maj.

Në terren, lodhja qytetare me mosfunksionimin institucional po rrit presionin për një rezultat të qartë. Nga ana tjetër, partitë opozitare vazhdojnë kritikat për menaxhimin e tensioneve në veri dhe standardin e jetesës, ndërsa Kurti kërkon mandat të tretë dhe premton rritje pagash e investime.

Nëse 28 dhjetori nuk prodhon shumicë qeverisëse, vendi rrezikon të hyjë në një cikël tjetër bllokade me pasoja direkte financiare dhe politike. Reuters /lajmishqip.net

Publikime te ngjashme