Gjykata Supreme e Dhomave të Specializuara të Kosovës ka hedhur poshtë kërkesën e ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, për lirim të përkohshëm.
Sipas njoftimit zyrtar të Dhomave të Specializuara, më 19 dhjetor 2025, Paneli i Gjykatës Supreme, i përbërë nga gjykatësit Ekaterina Trendafilova (kryegjykatëse), Kristine van den Vajngart dhe Daniel Fransen, ka refuzuar kërkesën e Veselit për mbrojtje të ligjshmërisë. Kjo kërkesë ishte paraqitur në mënyrë konfidenciale gjatë muajit nëntor të këtij viti.
Kërkesa lidhej me vendimin e Panelit të Gjykatës së Apelit të datës 13 gusht 2025, me të cilin ishte konfirmuar vendimi i Trupit Gjykues për rrëzimin e kërkesës së Veselit për lirim të përkohshëm.
Me këtë vendim të fundit të Gjykatës Supreme, mbetet në fuqi refuzimi i lirimit të përkohshëm të Kadri Veselit, ndërsa procedurat gjyqësore ndaj tij vazhdojnë në Dhomat e Specializuara. /lajmishqip.net
