Një aksident i rëndë trafiku me pasoja fatale ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në autostradën Beograd–Nish, në Serbi, ku kanë humbur jetën dy shtetas të Maqedonisë së Veriut.
Sipas informacioneve nga mediat serbe, të cilat i transmeton portali Shenja, ngjarja tragjike ndodhi pranë daljes së Umçarit. Aksidenti u shkaktua pasi drejtuesi i një veture të tipit “Seat” me targa gjermane humbi kontrollin mbi automjetin, duke përfunduar jashtë rrugës.
Ekipet e shpëtimit nxorën nga mjeti i shkatërruar trupat e pajetë të një burri dhe një gruaje. Pas verifikimeve të para, autoritetet konfirmuan se viktimat janë shtetas të Maqedonisë së Veriut.
Përveç viktimave, në automjet ndodhej edhe një person i tretë. Ky pasagjer fatmirësisht i mbijetoi përplasjes së fortë, mirëpo ka pësuar lëndime të rënda trupore. Ai është transportuar me urgjencë drejt qendrës spitalore për të marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor. /lajmishqip.net
