Plani i Trumpit që detyron çdo kryeministër të Kosovës ta pranojë Asociacionin

3 minutes, 13 seconds Read
Banner Description

Analisti dhe profesori i mirënjohur amerikan, Edward Joseph, e konsideron anëtarësimin në NATO si çelësin kryesor që do të zgjidhte ngërçin mes Kosovës dhe Serbisë, duke hapur perspektiva të reja për shtetin e Kosovës. Sipas tij, nëse Donald Trump do t’i garantonte Prishtinës një rrugëtim të sigurt drejt Aleancës Veriatlantike në këmbim të themelimit të Asociacionit, nuk do të kishte kryeministër kosovar që do ta refuzonte këtë ofertë.

Joseph, në një intervistë për Civil Today, ka deklaruar se Trump mund t’i ftojë liderët e të dyja vendeve në Shtëpinë e Bardhë për të nënshkruar një marrëveshje ku NATO do të përcaktohej si objektiv strategjik i përbashkët. “Presidenti Trump mund t’i mbledhë udhëheqësit në Uashington, ashtu siç veproi në mandatin e tij të parë, për të zyrtarizuar një angazhim që i orienton të dyja palët drejt NATO-s”, ka theksuar profesori amerikan.

Eksperti Joseph shtjellon idenë e tij për ruajtjen e një stabiliteti afatgjatë deri në momentin e anëtarësimit të plotë, pikë ku do të ndodhte edhe njohja reciproke e pashmangshme. Si mjet për arritjen e kësaj qëndrueshmërie, ai sheh themelimin e Asociacionit si përfitimin kryesor që do të merrte pala serbe në këtë proces.

“Thelbi është që Vuçiq do të fitonte diçka konkrete: një statut të miratuar nga BE-ja për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, kërkesë kjo e kahmotshme e Beogradit, Brukselit dhe Uashingtonit. Në këtë fazë, atij nuk do t’i kërkohej njohja formale e Kosovës.

Njohja do të bëhej e pashmangshme më pas, kur të dyja shtetet të jenë gati për NATO-n, pasi aleatët duhet ta njohin juridikisht njëri-tjetrin. Deri atëherë, rrethanat do të ndryshonin plotësisht: tensionet do të uleshin dhe orientimi strategjik i Serbisë do të transformohej rrënjësisht”, ka potencuar Joseph.

Sipas analistit amerikan, një rruge të tillë do ta kishte pothuajse të pamundur t’i thoshte “jo” edhe vetë lideri serb. Ai shton se nëse Trump i ofron Kosovës garancinë për NATO, me kusht zbatimin e Asociacionit, çdo lider në Prishtinë do të ishte i gatshëm ta hidhte firmën.

“Nëse Presidenti Trump i ofron Kosovës rrugën e qartë drejt NATO-s, duke kushtëzuar me Asociacionin dhe integrimin e plotë të serbëve si qytetarë të barabartë, çdo kryeministër i Kosovës do ta nënshkruante atë statut”, pohoi ai.

Për Josephin, ky hap do të zhbllokonte edhe njohjen nga pesë shtetet mosnjohëse të BE-së, ku Greqia parashihet si e para që do të bënte lëvizjen vendimtare. “SHBA-ja do të angazhohej me vendet e mbetura. Greqia do ta njihte Kosovën menjëherë pas nënshkrimit të statutit, gjë që do të ndryshonte totalisht pozicionin e Rumanisë, Sllovakisë dhe Spanjës”, shkruan Express.

Sapo Kosova të siguronte rrugën drejt NATO-s, loja diplomatike e Serbisë praktikisht do të dështonte. Strategjia e Beogradit për pengesa dhe mbështetja te Rusia e Kina në OKB do të bëheshin të parëndësishme përballë realitetit të ri.

Anëtarësimi në NATO peshon shumë më tepër për sigurinë e Kosovës sesa ulësja në OKB. Joseph bën një paralelizëm me Ukrainën, duke pyetur nëse ata do të zgjidhnin OKB-në apo NATO-n – ku përgjigjja është padyshim kjo e dyta.

Në atë skenar, Serbia do të shihte Malin e Zi drejt BE-së dhe Kosovën drejt NATO-s, duke mbetur e izoluar, situatë kjo e vështirë për t’u mbajtur politikisht. “Pra, ky propozim është shumë më realist sesa mendohet”, përfundon Joseph ./lajmishqip.net

Publikime te ngjashme