Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka shpalosur detaje të reja rreth operacionit të gjerë antikorrupsion, i cili u realizua në koordinim të ngushtë me Policinë dhe Agjencinë Kosovare të Inteligjencës.
Të dyshuar për vepra të rënda penale, duke përfshirë korrupsionin, keqpërdorimin e detyrës, ryshfetin, ushtrimin e ndikimit dhe mashtrimin, janë vënë në pranga shtatë persona me inicialet F.I., J.M., N.K., M.D., B.D., Sh.T. dhe G.L.
Ky aksion u krye nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike nën direktivat e Prokurorit Special, pas një hetimi intensiv dhe monitorimi të gjatë ku u aplikuan edhe masat e fshehta hetimore.
Arrestimi i të dyshuarve u bë në flagrancë, pikërisht në momentin kur po kryenin shkëmbimin e parave, ndërsa me urdhër të prokurorit ata janë dërguar në mbajtje për 48 orë.
Gjatë bastisjeve janë sekuestruar rreth 20,000 euro para të gatshme, armë, stoli të çmueshme, si dhe dokumente e pajisje elektronike që shërbejnë si prova materiale.
Hetimet për këtë rast të ndjeshëm po vazhdojnë me intensitet të lartë përmes bashkëpunimit të plotë mes Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Speciale./lajmishqip.net
