Ultimatum nga Shtëpia e Bardhë: Trump paralajmëron Kievin të nxitojë, përndryshe Rusia ndryshon qëndrim

1 minute, 12 seconds Read
Banner Description

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka rritur presionin ndaj Ukrainës duke i kërkuar të veprojë me shpejtësi në negociatat për t’i dhënë fund konfliktit me Rusinë.

Gjatë një takimi me gazetarët në Zyrën Ovale, Trump theksoi se negociatorët janë pranë arritjes së një ujdie, por dha një paralajmërim të qartë: “Shpresoj që Ukraina të lëvizë shpejt. Sa herë që procesi zgjatet, Rusia ndryshon mendje”.

Burime zyrtare bëjnë me dije se bisedimet e radhës pritet të mbahen këtë fundjavë në Miami të Floridës. Sipas raportimeve nga “Politico”, delegacioni amerikan do të kryesohet nga i dërguari special Steve Witkoff dhe dhëndri i Trumpit, Jared Kushner, ndërsa Moska do të përfaqësohet nga Kirill Dmitriev.

Kjo valë e re bisedimesh vjen pas takimeve intensive në Berlin, ku presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky foli për një “përparim” drejt kompromisit me Uashingtonin. Megjithatë, Zelensky paralajmëroi gjithashtu se Rusia po përgatitet për një “vit të ri lufte” më 2026.

Nga ana tjetër, Vladimir Putin u shpreh i bindur se objektivat e sulmit ndaj Ukrainës “do të arrihen pa dyshim”.

Edhe pse detajet e planit të rishikuar amerikan nuk janë bërë publike, Kievi ka shprehur kundërshtime të forta pasi drafti fillestar parashikonte lëshime territoriale, duke u cilësuar nga aleatët evropianë si tepër i favorshëm për Kremlinin. /lajmishqip.net

Publikime te ngjashme