Vdekja misterioze e komandantit serb: A po zhduken dëshmitarët e së kaluarës së errët të Vuçiqit?

1 minute, 27 seconds Read
Banner Description

Gazetari hulumtues kroat, Domagoj Margetiq, ka ngritur dyshime të forta lidhur me rrethanat e vdekjes së Sllavko Alleksiqit, i njohur si “vojvodë çetnik” dhe ish-komandant i një njësie paramilitare. Sipas Margetiqit, në këtë njësitë kishte shërbyer si vullnetar edhe presidenti aktual i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Në një reagim publik, gazetari thekson se Alleksiqi ishte një ndër dëshmitarët më kyç për zbardhjen e përfshirjes së dyshuar të Vuçiqit në krime lufte gjatë viteve ’90, përfshirë edhe atë që ai e cilëson si “gjueti njerëzore” në Sarajevë.

Sipas tij, deri para rreth dhjetë ditësh, Alleksiqi gëzonte shëndet të plotë dhe madje kishte bërë deklarata publike në mbështetje të presidentit serb. Megjithatë, situata mori një kthesë të papritur sot me lajmin e vdekjes së tij, vetëm pak ditë pasi u shtrua me urgjencë në spitalin ushtarak në Beograd.

“Aleksandar Vuçiq, sipas zakonit të vjetër, po eliminon dëshmitarët. Sapo mora vesh se komandanti i tij në Sarajevë ka vdekur ‘në mënyrë magjike’ në spital”, ka deklaruar Margetiq, duke shtuar bindjen e tij se po zhduken dëshmitarët e krimeve të Vuçiqit.

Margetiq pretendon se pas ndërhyrjes së shërbimit sekret serb (BIA), Alleksiqi ishte transferuar për trajtim në Akademinë Mjekësore Ushtarake (VMA) në Beograd, ku, sipas tij, vdiq në rrethana të pashpjegueshme.

Mediat në Bosnjë e Hercegovinë raportojnë se Sllavko Alleksiq, udhëheqësi famëkeq i formacionit “Detashmenti çetnik i Sarajevës së Re”, ndërroi jetë sot në Trebinje në moshën 69-vjeçare. Sipas këtyre raportimeve, lajmi për vdekjen e tij është konfirmuar edhe nga banorët lokalë. /lajmishqip.net

Publikime te ngjashme