Një tragjedi e rëndë ka tronditur një fshat në Indonezi, ku një 10-vjeçar humbi jetën pasi u rrëmbye nga një krokodil, ndërsa fshatarët e tmerruar panë zvarranikun tek rishfaqej me trupin e fëmijës në gojë.
Affan po notonte me shokët e tij në lumin Inggoi në Maluku, të martën pasdite, kur u sulmua papritmas nga zvarraniku grabitqar, raporton lajmishqip.net.
Vogëlushi po freskohej në ujë kur kafsha u hodh mbi të, duke e kafshuar, ndërsa ai përpëlitej e kërkonte ndihmë me britma që thyen heshtjen e lumit.
Dëshmitarët rrëfyen se Affan u tërhoq me dhunë nën sipërfaqen e ujit, derisa miqtë e tij shikonin skenën të pafuqishëm e të tmerruar.
Dy djemtë që ishin me të arritën të iknin dhe vrapuan drejt fshatit për të kërkuar ndihmë, por me të arritur shpëtimtarët, Affan nuk kishte më shenja jete.
Pamje rrëqethëse që kanë qarkulluar tregojnë momentin kur krokodili lundronte pranë bregut me trupin e pajetë të fëmijës në nofulla, përpara se të zhytej sërish në ujërat e turbullta.
Pas këtij sulmi makabër, u organizua menjëherë një operacion i gjerë kërkimi ku morën pjesë policia, ushtria dhe vullnetarë, duke kontrolluar lumin me gomone e anije peshkimi.
Ekipet e shpëtimit u treguan tejet të kujdesshëm gjatë operacionit, për shkak të rrezikut të vazhdueshëm nga sulmet e tjera të mundshme prej krokodilëve.
Kërkimet intensive zgjatën gjatë gjithë natës deri në orët e para të së enjtes, 18 dhjetor, kur zvarraniku u pikas sërish pranë një moli të fshatit.
Banorët mbetën të shokuar nga skena, derisa ekipet punonin me shpejtësi për ta larguar grabitqarin e rrezikshëm nga ajo zonë e banuar.
Trupi i Affanit u gjet duke lundruar vetëm pak metra larg molit, menjëherë pasi krokodili ishte tërhequr përfundimisht në thellësi.
Mbetjet e tij u nxorën nga uji dhe u dërguan me varkë drejt shtëpisë, për t’u dorëzuar te familja e tij që është në zi./lajmishqip.net
