Kuvendi si “bankomat”: 67 deputetë u shpallën të papunë për të marrë 1.914 euro në muaj edhe një vit tjetër

3 minutes, 39 seconds Read
Banner Description

Mbi gjysma e anëtarëve të legjislaturës së nëntë kanë kërkuar nga Kuvendi i Kosovës pagë kalimtare, duke u deklaruar si të papunë. Me këtë, atyre u sigurohet pagë prej 1.914 eurosh në muaj për një vit të plotë. Analistë dhe sociologë vlerësojnë se një pjesë e deputetëve po e shohin Kuvendin e Kosovës si bankomat.

Janë 67 deputetë të legjislaturës së nëntë që, pasi për gati një vit kanë marrë paga pa punuar, i kanë kërkuar Kuvendit t’ua vazhdojë këtë pagesë edhe për një vit tjetër.

Për t’i realizuar këto të hyra, ata janë deklaruar para Kuvendit si të papunë.

Ligji për të drejtat dhe përgjegjësitë e deputetëve parasheh beneficione për ta, përfshirë edhe kompensimin kalimtar.

Kjo nënkupton se, nga dita e përfundimit të mandatit, deputeti merr pagë mujore bazë nga Kuvendi i Kosovës në vlerë prej 1.914 eurosh për 12 muaj rresht, nëse nuk punësohet dhe nuk pensionohet.

Kësisoj, rreth 23 mijë euro do të jenë shpenzimet e Kuvendit në vit për secilin deputet, ndërsa në total shuma shkon afër 1.5 milionë euro.

Në fakt, “papunësia” në legjislaturën e nëntë është shumëfish më e lartë se mesatarja e vendit.

Në Kosovë papunësia është 11 për qind, ndërsa vetëm në mesin e deputetëve rezulton të jetë mbi 55 për qind.

Aplikimi i këtyre deputetëve për këtë beneficion, sipas sociologut Genc Xërxa, nuk lidhet me paaftësi për të gjetur punë, por me shfrytëzimin e privilegjeve publike që ua garanton ligji.

“Nuk është që nuk mund të punojnë, por duke e krahasuar, shumica e deputetëve nuk mund ta arrijnë këtë pagë mujore në çfarëdo sektori, prandaj e shfrytëzojnë këtë të mirë materiale së paku edhe për një vit”, ka thënë Xërxa.

Në Lëvizjen Vetëvendosje janë 28 deputetë që kanë kërkuar pagë kalimtare, në mesin e tyre: Glauk Konjufca, Mimoza Kusari-Lila, Artan Abrashi, Saranda Bogujevci dhe Armend Muja.

Në PDK këtë beneficion pas mandatit e kanë kërkuar 14 ligjvënës, përfshirë: Memli Krasniqin, Abelard Tahirin, Ganimete Musliun, Elmi Reçicën dhe Rashit Qalajn.

Në LDK pagë kalimtare kanë kërkuar 12 deputetë, mes tyre: Hykmete Bajrami, Lutfi Haziri, Doarsa Xhelili-Kica dhe Arben Gashi.

Në AAK pagën kalimtare e kanë kërkuar: Daut Haradinaj, Bekë Berisha, Time Kadrijaj dhe Lahi Brahimaj.

E në Nisma, Arbresha Krasniqi.

Nga komuniteti serb për këtë beneficion ka aplikuar vetëm një deputete, ndërsa nga grupi multietnik kanë aplikuar 7.

“Është e qartë që shumica absolute e deputetëve të Kosovës e konsiderojnë parlamentin si një bankomat, si një lloj mundësie për përfitime të vazhdueshme dhe nuk janë absolutisht në përputhje me obligimet e përgjegjësitë që i kanë. Nga kjo pikënisje pastaj vijmë edhe te sensi i tyre gllabërues për të përfituar maksimalisht dhe për të mos dhënë absolutisht asgjë”, ka thënë Artan Muhaxhiri, njohës i çështjeve politike.

Sipas Muhaxhirit, paga kalimtare nuk do të ishte privilegj i tepruar për deputetët po të shoqërohej me punë dhe përgjegjësi reale në interes të shtetit.

“Parimisht rroga prej një viti nuk do të duhej të ishte problem nëse deputetët do ta kryenin punën e tyre me përgjegjësi, me moral, me vetëdije shtetërore, por duke e ditur se me kë kemi të bëjmë, pra me njerëz që as një për qind të këtyre obligimeve nuk i kryejnë në mënyrë të ndershme, atëherë të gjitha këto para janë të çuara kot dhe janë vetëm pasojë e pangopshmërisë së tyre dhe mungesës elementare të moralit e njerëzillëkut”, ka theksuar ai.

Nga prilli deri në nëntor, rreth dy milionë euro ka qenë kostoja e shpenzimeve që i është shkaktuar buxhetit të shtetit për pagat e deputetëve dhe të asistentëve të tyre, ndonëse legjislatura e nëntë e Kuvendit të Kosovës është konstituuar dhe është shpërndarë pa prodhuar asnjë rezultat./lajmishqip.net

Publikime te ngjashme