Lëvizja Vetëvendosje ka bërë publike marrëveshjen e koalicionit për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 28 dhjetorit. Në këtë garë elektorale, partia fituese e zgjedhjeve të fundit do të rreshtohet krah për krah me Listën Guxo, Alternativën dhe PSHDK-në.
Sipas njoftimit zyrtar, ky pakt nuk është thjesht bashkim numrash, por një zotim për forcimin e institucioneve dhe thellimin e demokracisë. Koalicioni premton një qeverisje transparente dhe me integritet, duke ofruar një vizion të qartë për fazën e ardhshme të drejtimit të shtetit.
“Ky bashkim hap një horizont të ri dhe përcakton prioritetet kryesore qeverisëse. Vetëvendosje, Guxo, Alternativa dhe PSHDK përshkruhen si subjekte që ndër vite kanë mbrojtur interesin publik dhe karakterin republikan të shtetit, duke sjellë secila përvojë dhe përgjegjësi të dëshmuar,” thuhet në deklaratën e përbashkët.
Kthimi te kutitë e votimit më 28 dhjetor vjen pas ngërçit politik të krijuar pas zgjedhjeve të rregullta të 9 shkurtit. Ndonëse Lëvizja Vetëvendosje doli forca e parë, pamundësia për të siguruar numrat e nevojshëm për formimin e Qeverisë diktoi nevojën për zgjedhje të reja.
Ky proces shënon një moment historik për Kosovën e pasluftës. Është hera e parë në dhjetë palë zgjedhje që vendi shkon menjëherë në rivotim për shkak të dështimit në konstituimin e institucioneve pas një cikli zgjedhor./lajmishqip.net



