Një ditë pas mandatimit të Glauk Konjufcës për kryeministër, Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar votat e partive ish-opozitare për një qeveri kalimtare afatshkurtër, me qëllim votimin e buxhetit 2026 dhe miratimin e fondeve të BE-së.
Megjithatë, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) kanë deklaruar se nuk do të votojnë për Konjufcën apo për çfarëdo qeverie të pakicës. Sipas tyre, mandatimi nga presidentja Osmani është një zvarritje e qëllimshme për të shtyrë datën e zgjedhjeve të parakohshme.
KosovaPress ka kontaktuar zyrtarë të PDK-së dhe Nismës, por ata nuk kanë qenë të qasshëm. Të martën, PDK-ja kishte deklaruar se ky mandatim vetëm sa e ka thelluar krizën politike.
Kjo situatë pason dështimin e Albin Kurtit më 26 tetor për të formuar qeverinë, ku mori vetëm 56 nga 61 votat e nevojshme.
Anëtari i LVV-së, Adnan Rrustemi, tha për KosovaPress se pret që opozita të “rezonojë arsyeshëm” dhe të votojë kabinetin. “Nuk bëhet fjalë për një qeveri afatgjatë, por për një qeveri që do të marrë tre-katër vendime në interes të qytetarëve,” pohoi ai.
Në kundërpërgjigje, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ishte i prerë. “Glauk Konjufca… duhet të jetë i sinqertë me veten… Të konstatojë se nuk ka shumicë për kryeministër,” tha ai në një konferencë për media.
Ngjashëm, deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, tha se LVV dhe Osmani po tentojnë të përfitojnë kohë. Ajo theksoi se asnjë parti nuk ka obligim të votojë pa një koalicion qeverisës, duke i quajtur “fyese” ofertat e mëparshme.
Ndryshe, Vullnet Bugaqku nga KDI vlerëson se presidentja Osmani ka vepruar drejt, duke thënë se “duhet të shterohen të gjitha mundësitë kushtetuese” para zgjedhjeve.
Sipas Kushtetutës, Konjufca ka 15 ditë kohë të sigurojë 61 vota. Nëse edhe mandatari i dytë dështon, vendi shkon në zgjedhje të parakohshme brenda 40 ditësh./lajmishqip.net
