Partia Demokratike e Kosovës vlerëson se mandatimi i Glauk Konjufcës nga Lëvizja Vetëvendosje përbën humbje kohe, zvarritje të panevojshme dhe thellim të krizës institucionale.
Në mbledhjen e sotme të Kryesisë, u ripërsërit njëzëri qëndrimi se PDK nuk do të japë votë për asnjë mandatar nga LVV. Sipas tyre, tashmë është e qartë që askush nuk e ka shumicën për ta formuar qeverinë nga kjo legjislaturë.
PDK thekson se mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme është zgjidhja e vetme për tejkalimin e këtij ngërçi, duke u kthyer qytetarëve të drejtën për të vendosur.
“Kriza e stërzgjatur gjatë këtij viti… ka goditur çdo sektor, ndërsa rreziku që buxheti… të mos kalojë me kohë… e bën edhe më të domosdoshëm përshpejtimin e procesit drejt zgjedhjeve të reja”, thuhet në komunikatë.
Kujtojmë, LVV propozoi dje Konjufcën pasi Albin Kurti dështoi më 26 tetor, duke u bërë mandatari i parë në historinë e pasluftës së Kosovës që nuk merr votat e nevojshme.
Në mbledhje u diskutua edhe rezultati i zgjedhjeve lokale. Kryetari Memli Krasniqi u shpreh mirënjohës për angazhimin që, sipas tij, i mundësoi partisë rikthimin në vendin e parë pas 12 vjetësh sa i përket votës popullore, me 187,526 vota dhe 206 ulëse në Kuvendet Komunale.
Krasniqi kërkoi mobilizim për fitore në balotazhin e 9 nëntorit në Mitrovicë, Prizren, Vushtrri, Kaçanik, Klinë dhe Dragash./lajmishqip.net
