Abdixhiku i prerë: Zgjidhja e vetme janë zgjedhjet, nuk ka qeveri të pakicës

1 minute, 1 second Read

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se zgjidhja e vetme për krizën politike janë zgjedhjet e reja. Ai tha se mandatimi i Glauk Konjufcës (LVV) vetëm sa e zvarrit krizën, duke i kërkuar këtij të fundit të pranojë se nuk ka shumicë parlamentare.

Në një konferencë për media të mërkurën, Abdixhiku theksoi se në Kosovë s’mund të ketë qeveri të pakicës, ndërsa iu referua Lëvizjes Vetëvendosje si ‘parti sekt’.

Mandatimi i Konjufcës nga Presidentja Vjosa Osmani të martën pason dështimin e liderit të LVV-së, Albin Kurti, për të formuar qeverinë në seancën e jashtëzakonshme të 26 tetorit.

Sipas Abdixhikut, imponimi i një qeverie të pakicës nga LVV-ja është jodemokratik, dhe ai konfirmoi se LDK-ja nuk ka votë për Konjufcën.

Duke folur për datën e zgjedhjeve, ai tha se kalkulimet për data specifike nuk kanë ndikim në rrjedhat zgjedhore.

Krahas kësaj, ai bëri të ditur se i ka shprehur gatishmëri presidentes Osmani për vazhdimin e buxhetit të këtij viti edhe për tre muajt e parë të 2026-ës./lajmishqip.net

Publikime te ngjashme