Trajneri i Juventusit, Luciano Spalletti, ka komentuar paraqitjen e Edon Zhegrovës në barazimin 1–1 ndaj Sporting Lisbonës në ndeshjen e Ligës së Kampionëve të zhvilluar mbrëmë.
Futbollisti dardan u aktivizua për 18 minuta, pas një periudhe në të cilën nuk kishte marrë minuta në ndeshjet e Juventusit.
Spalletti vlerësoi lart cilësitë individuale të prishtinasit, duke theksuar shpejtësinë e jashtëzakonshme që e karakterizon.
“Më bëri përshtypje shpejtësia e tij. Është shumë i shpejtë në hapësira të ngushta,” u shpreh Spalletti.
Trajneri shtoi se rikthimi i Zhegrovës pas mungesës ka qenë i shkurtër dhe se lojtarit i duhet kohë për t’u përshtatur plotësisht me ritmin e skuadrës.
“Kam folur me mjekët dhe më thanë se ka pak kohë që është rikthyer. Me kalimin e kohës dhe me stërvitje të rregullt, do të përmirësohet dhe do të na ofrojë më shumë zgjidhje,” deklaroi tekniku italian.
Megjithatë, gjatë ndeshjes, Spalletti nuk e fshehu nervozizmin në një moment pas një veprimi të Zhegrovës.
“U zemërova me të sepse humbi një pasim të thjeshtë për Davidin. Ne e fituam topin disa herë, por ua dhamë kundërshtarëve shumë lehtë,” shpjegoi ai.
Ky kombinim i komplimentit dhe kritikës tregon pritshmëritë e larta të Spallettit ndaj Zhegrovës, i cili pritet të marrë më shumë minuta dhe të ketë një rol më të rëndësishëm në ndeshjet e ardhshme të Juventusit në Ligën e Kampionëve dhe Serie A.
/lajmishqip.net


